Bekim Fehmiu, aktori që thyen kufij edhe pas vdekjes

Prishtinë, 8 tetor - Ai ishte i pari nga komuniteti i artistëve në Jugosllavinë e asaj kohe që nisi të bashkojë Lindjen me Perëndimin. «Apo siç kanë thënë, i pari që çave Perden e Hekurt», ua ka kujtuar të pranishmëve aktorja Branka Petriq, e veja e aktorit të madh Bekim Fehmiu, në hapjen e javës kushtuar krijimtarisë së tij.




Provoi ta bënte këtë edhe me dy popuj që me shekuj ishin në konflikt. Politika qe më e fortë dhe në fund të viteve ‘80 u tërhoq nga skena. Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve s’njihte më kufij. Prej atëherë nuk u pa në skenë e as në filma, por rolet e tij u bënë pjesë e arkivit botëror. E porositë dhe fryma e tij, sërish ringjallen nga ata që kërkojnë një botë tjetërqysh.

Kësisoj, «Bekim Fehmiu – java e filmit në Kosovë» e hapur të martën mbrëma në Prishtinë, tejkalon misionin e shpalosjes së një pjese të krijimtarisë së aktorit të njohur. Festivali «Mirëdita, dobar dan!», qysh vitin e kaluar kur startoi në Beograd me shpalosjen e kulturës kosovare, e gjeti këtë figurë si pikë rreth të cilit do të bashkoheshin edhe shqiptarët, edhe serbët. Apo siç e kanë përshkruar, «simbol i së kaluarës së përbashkët, me sfidat, arritjet dhe keqkuptimet për të».

Sivjet, «Mirëdita…» ka zgjedhur pikërisht Bekim Fehmiun që nëpërmjet pesë filmave të mbahet gjallë kujtimi për të, të hiqen mitet rreth tij e porositë të bëhen më të zëshme.

«Artistët janë njësitë e para inxhinierike, të cilat ndërtojnë ura midis popujve të inatosur. Krejt kjo çfarë bën ky grup me ‘Mirëdita, dobar dan!’ është shumë e rëndësishme dhe e çmueshme», ka thënë Petriq, e pasigurt nëse vetë Bekim Fehmiu do t’i ishte i gëzuar me organizmin e një jave filmi për të, «sepse s’e ka dashur fort promovimin». «Por jam e sigurt se do t’i përkrahte këta të rinj», ka thënë Petriq. E sigurt për këtë edhe për faktin se qasjen e tij e ka lënë të shkruar në dy libra, «E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme» vetëm njëri prej të cilëve deri më tani është përkthyer në shqip.
«Urrejtja është virusi i cili përhapet më së shpejti. Njerëzit duhet t’i ndërrojnë hartat e tyre mentale, duhet të jenë vetvetja, të sinqertë, duhet të ndjekin rrugën e tyre. Jeta është puna më e madhe, më komplekse. S’është fort lehtë të jetosh por më zor të mbijetosh», ka kujtuar Petriq atë që ka shkruar Bekim Fehmiu. «Momenteve që vijnë s’mund të bësh bisht», ka cituar ajo më tej.
E për organizatorët, momenti i organizimit të një jave filmi ka qenë kaherë.

«Sigurisht se është dashur të ndodhë më herët një gjë e tillë», ka thënë Kushtrim Koliqi nga organizata «Integra», e cila bashkë me «Iniciativën Qytetare» të Beogradit organizojnë festivalin «Mirëdita, dobar dan!». Por kurrë s’është vonë për heqjen e miteve. E me të tillë, ka kohë që është mbuluar figura e aktorit të madh.

«Është interesante se si të gjithë shqiptarët e njohin Bekim Fehmiun. Ata ndoshta më shumë kanë krijuar mit sesa që e kanë parë punën e tij. Nuk po flas vetëm për gjeneratat e reja por edhe për një pjesë të gjeneratës më të vjetër. Ne me këtë festival jemi duke u munduar që të bëjmë këtë bashkim në mes të mitit dhe punës së tij duke e arsyetuar tërë këtë famë dhe respekt që e ka ky artist i arrirë», ka thënë Koliqi.
Kineasti Milazim Salihu, mik i afërt i Bekim Fehmiut i takon pjesës që e ka parë gjithë krijimtarinë e aktorit të madh. Por të martën mbrëma, sërish ka qëndruar përballë ekranit të madh të kinemasë ABC, ku është shfaqur «Mbledhësit e puplave» me të cilin është hapur ky organizim pesëditor. Këtë film të vitit 1967 – ku Fehmiu portretizon romin Beli Bora, i nominuar për «Palmën e Artë» në Festivalin e Kanës dhe fitoi çmimin e madh special të jurisë dhe çmimin «Fipresci» – ai e ka parë për të 15-n herë.
«E di përmendësh tërë filmin. Por çdo herë që e shoh gjej diçka të re te Bekimi», ka thënë Salihu, ish-drejtor i kompanisë që menaxhon me kinemanë e cila ditëve të verës ka qenë vendi kryesor ku rrinte aktori i madh.

«Ky është një prej roleve më të mira të tij, prandaj edhe është shpërblyer dhe me këtë është thyer ajo perdja në mes të Ballkanit me Perëndimin. Bekimi ka qenë dhe do të jetë një prej perlave të Ballkanit në historinë e kinematografisë botërore», ka thënë Salihu. Por, sipas tij, në Kosovë deri vonë nuk e kanë pranuar rëndësinë që ka Fehmiu.

Nga fundi i karrierës Fehmiu aktroi në nëntë gjuhë duke përfshirë frëngjishten, spanjishten dhe italishten. Në vitin 1987 në shenjë proteste kundër trajtimit që u bëhej shqiptarëve nga Qeveria jugosllave, la në gjysmë shfaqjen «Madame Kollontai» dhe s’u kthye më në skenën e Teatrit Jugosllav. Deri sa u vetëvra në qershor të 2010-s, nuk doli fort në publik.

«Tek ne nuk e kanë dashur shqiptarët. Bekimi gjithmonë ka qenë i gatshëm që të punojë si në teatër si në film, por nuk kanë dashur. Ose nuk kanë dashur ta kuptojnë rëndësinë e tij», ka shtuar ai.
Por qëllimi i organizatorëve të «Bakim Fehmiu – Java e Filmit në Kosovës», është pikërisht t’ua bëjë me dije se kush ishte ai, në film dhe personalitet.

«Bekim Fehmiu është një prej artistëve më të arrirë që i kemi ne e që e ka kaluar rrethin e ish-Jugosllavisë dhe të Ballkanit, ka luajtur edhe në filma të Hollywoodit», ka thënë Koliqi.

«Bekim Fehmiu me të kaluarën e tij na e ka zbardhur fytyrën në ish-Jugosllavi, por edhe nëpër tërë qendrat e tjera ku filmi i tij ka udhëtuar dhe është shpërblyer. Por, siç duket, ne i harrojmë gjërat dhe kjo është e dhimbshme», ka thënë aktorja dhe regjisorja Melihate Qena, e cila në hapjen e javës, recitoi poezinë e preferuar të Fehmiut, «Njeriu këndon pas lufte», të autorit Dushan Vasiljev. Sipas saj, ai ende jeton brenda adhuruesve të tij.

E të tillë nuk kanë qenë të paktë në shfaqjen e «Mbledhësit e puplave». E në ditën e dytë, të mërkurën kur është shfaqur «Gjethi i gjerë», në publik kanë qenë kryesisht nxënës të shkollave të mesme. Jo pak prej tyre kanë qenë në këmbë e të tjerë gjatë tërë kohës kanë folur e qeshur përderisa kësaj ia kanë shtuar edhe përplasjet e dyerve të kinemasë. Kjo atmosferë, e ka prekur juristin Fatmir Fehmiu, vëllai i aktorit.

Ka ardhur ta shohë për herë të parë rrëfimin e zhvendosur në Luftën e Dytë Botërore, ku Fehmiu është partizani Baja, në luftë me gjermanët.
«Si të flas për madhështinë e vëllait tim. Erdha të shoh këtë film por u shqetësova», ka thënë Fehmiu, pa dashur të komentojë më shumë.
Ekrani i Kinemasë ABC do të hapet edhe sot për të shfaqur filmin e tretë, »Era», në kuadër të «Bekim Fehmiu – java e filmit në Kosovë» . «Edukimi Special» dhe «Kurthi për Gjeneralin» do të shfaqen në Prizren në «DokuKino» të premten dhe të shtunën.
Por, sipas organizatorëve, ky është vetëm fillimi.

«Është vetëm një start. E kemi quajtur ‘Bekim Fehmiu – java e filmit në Kosovë», sepse nuk po dëshirojmë që ta centralizojmë vetëm në Prishtinë. Kësaj radhe e kemi bërë vetëm në Prishtinë dhe në Prizren, por herëve të tjera definitivisht do të shkojmë edhe në vende ku nuk ka kinema, e qoftë nevoja ta improvizojmë një të tillë duke përçuar kështu edhe mesazh se si një qytet nuk ka kinema», ka thënë Koliqi.