«Behrami udhëheq Zvicrën me shpirtin ballkanik»




Viti 1994 është shumë i rëndësishëm për futbollin zviceran pasi Roy Hodgson udhëhoqi përfaqësuesen për herë të parë në Kupën e Botës në 26 vjetët e fundit. Gjithashtu po këtë vit edhe një kosovar nëntë vjeçar i quajtur Valon Behrami arriti në Zvicër pasi prindërit e tij u larguan nga vendlindja për shkak të luftës.

 

Kështu e nis një raport të veçantë mediumi i njohur britanik «Independent» për jetën e futbollistit të Zvicrës, Valon Behrami.

«Ata u vendosën në Ticino, pjesë e Zvicrës ku flitej italisht, dhe Behrami, tani pjesë e Watfordit, së shpejti iu bashkua një klubi lokal dhe nisi të luante futboll. Pasi që përfundoi konflikti në Kosovë në vitin 1999, Behramët, nën regjim të ligjit zviceran, u detyruan të riktheheshin në vendlindje, por klubi i atletikës nisi një peticion që t’i mundësonte qëndrimin Valonit dhe familjes së tij», thuhet në fillim të përshkrimit të jetës së Valonit, transmeton koha.net.

«Nuk dua të largohem nga shteti», kishte thënë Valoni për një rrjet lokal televiziv atë kohë. «Gjithçka që di e kam mësuar këtu. Tani kam mësuar të lexoj dhe të shkruaj».

Autoritetet pas peticionit kishin bërë një përjashtim dhe i kishin dhënë dokumentacionin zviceran Behramëve. Behrami në këtë intervistë ka kujtuar kohën kur ishte larguar nga Kosova.

«Gjithmonë do të më kujtohet ajo kohë. Çdo tri ose katër muaj merrnim thirrje nga anëtarët e familjes në Kosovë dhe situata nuk ishte e mirë. Shpeshherë na thoshin se po iknin në male. Kur isha 14 vjeç, u riktheva në Kosovë dhe ishte totalisht e shkatërruar. Më dha dëshirën të ndryshoj gjërat për familjen time. Kur u bëra futbollist, vendosa të jap gjithçka në çdo ndeshje dhe të mos dorëzohem kurrë», ka thënë ai.

Pasi Behrami u inkuadrua në rangun më të lartë të futbollit në Zvicër, arriti të transferohej te klubi italian Genoa. Më pas me performanca të mira iu bashkua Lazios, ku qëndroi për tre sezone. Më pas shijoi Premier Ligën, ku qëndroi te West Hami për dy vjet. Behrami më vonë kaloi në Gjermani dhe Itali, për t’u rikthyer sërish në Angli, kësaj radhe te Watfordi.

Behrami përshkruan periudhën e tij te Hamburgu si «eksperiencën më të rëndë» në karrierë. «Skuadra nuk ishte e mirë, ata patën qëllime të ndryshme dhe nuk u përshtata me jetën në Gjermani. Vuajta edhe nga lëndimet. Pata edhe tri vjet kontratë, por më është dashur të largohem sepse nuk ishte mirë për mua, nuk ishte mirë për klubin», thotë Behrami.

Watfordi siguroi shërbimet e Behramit në muajin korrik. Tani fëmijët e tij janë në shkollë në Londër dhe ai thotë se ata duan gjithçka në Angli, përpos motit me shi.

Zvicra të martën takohet me Anglinë në kuadër të Eliminatoreve për Euro 2016 dhe një fitore në Wembley do t’i siguronte zviceranëve kualifikimin.