Behrami kritikon fansat zviceranë

Futbollisti i Zvicrës Valon Behrami i është drejtuar opinionit me një letër të hapur pas fishkëllimave të publikut kundër lojtarit Haris Seferoviq.

Valon Behrami. Foto: Shutterstock



Është një rregull i pashkruar: edhe kur luajnë dobët, lojtarët e kombëtares së futbollit nuk duhet të ofendohen nga publiku. Në ndeshjen e fundit mes Zvicrës dhe Irlandës së Veriut fansat zviceranë i fishkëlluan sulmuesit të kombëtares zvicerane Haris Seferoviq. Gjatë ndeshjes Seferoviq humbi disa shanse, kjo mjaftoi që fansat të humbin durimin, ndonëse Zvicra përkundër rezultatit 0:0 u kualifikua në Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi.

Ish-trajneri i Zvicrës Ottmar Hitzfeld tha se fansat zviceranë nuk duhet të harrojnë se kombëtarja e Zvicrës është e suksesshme për shkak të lojtarëve me origjinë të huaj. «Ata s’kanë frikë. Falë mentalitetit të tyre ata e bartin me vete vullnetin e pamposhtur për fitore», tha Hitzfeld.

Në lidhje me fishkëllimat kundër Seferoviqit është prononcuar edhe Valon Behrami, i cili brenda kombëtares së Zvicrës gëzon autoritet të padiskutueshëm. Në një letër të hapur dërguar oponionit zviceran Behrami shkruan: «A është e lejueshme t’i fishkëllohet një lojtari? Sigurisht, kush paguan biletë për të hyrë në stadium, është automatikisht i lirë të shprehë dëshpërimin e tij. Por, në rastin konkret bëhet fjalë për kombin tonë. Bëhet fjalë për djemtë që po përpiqen ta bëjnë krenar vendin. Ata djemë që kanë kaluar nëpër këtë rrugë fantastike, e cila u kurorëzua me një kualifikim të radhës në Kampionatin Botëror. Edhe sportistët janë njerëz dhe sigurisht u dhemb të dëgjojnë fishkëllima, para së gjithash sepse fishkëllimat në atë mbrëmje nuk patën asnjë kuptim».

Behrami shkruan se Kampionati Botëror ushqen ëndrrat e fëmijëve dhe mundëson takime mes miqëve dhe familjeve dhe kështu ata shkëputen nga stresi dhe nga telefoni që po na mban të lidhur si skllevër. (dp)