Begaj do të festonte njëvjetorin e «Kosova fly academy» në Prishtinë

Në mesin e gjashtë personave që humbën jetën në aksidentin e mbrëmshëm në afërsi të fshatit Kozhle pranë Shkupit, ka pësuar vetëm një kosovar dhe jo dy sikurse dyshohej natën e kaluar. Visar Begaj, ishte nisur me kolegët e tij italianë për të shënuar njëvjetorin e klubit të aviacionit «Kosova fly academy», të cilin ai e kishte themeluar një vit më parë.

Visar Begaj, njëri ndër të aksidentuarit me aeoplanin privat në afërsi të Shkupit

Shkup, 7 shtator

Visar Begaj, drejtues i klubit të aviacionit «Kosova fly academy», është njëri nga gjashtë viktimat e rrëzimit të aeroplanit privat mbrëmjen e së martës 10 kilometra larg Aeroportit të Shkupit. Bashkë me të në aeroplan kanë qenë edhe pesë kolegë të tij italianë, katër burra dhe një grua: Françesko Montanjer – presidenti i klubit amator për fluturim «Flying Treviso», i cili edhe e ka drejtuar aeroplanin në momentin e aksidentit; pastaj Dario Bastasin, Luka Dale, Anxhelo Kalegri dhe Ilaria Berti.

Ekipet hetuese të Maqedonisë kanë gjetur trupat e gjashtë personave, si dhe mbetjet e aeroplanit privat «Pajper», me numra të Gjermanisë, në pronësi të klubit të aviacionit «Trevizo» nga Italia. «Trupat janë përgatitur dhe do të dërgohen në Institutin për Mjekësi Ligjore, ku në periudhën e ardhshme, me urdhër të Prokurorit Publik, do të pasojë procedura për identifikim», thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë themelore publike të Shkupit.

Viktimat jetonin në provincat e Trevisos, Padovas dhe Udines së Italisë. Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë njoftoi se aeroplani kishte kërkuar leje për aterim në Aeroportin e Shkupit për t’u furnizuar me karburant. Por, të martën e 6 shtatorit, diku rreth orës 17:40, ai ishte zhdukur nga radari i kontrollit të fluturimeve. Pas një orë e gjysëm, policia thotë se kishte marrë një denoncim nga një banor i Kozhles për një shpërthim të fortë në afërsi të fshatit. Rreth orës 19:30, në vendngjarje arrijnë ekipet e para policore dhe së bashku me banorët lokalë gjetën edhe mbetjet e aeroplanit.

Policia e Maqedonisë të mërkurën njoftoi se ka gjetur edhe kutinë e zezë, e cila është marrë për ekspertizë për të zbuluar shkaqet e rënies së aeroplanit. «Pas kontrollit në terren janë gjetur mbetje të avionit, njëri krah me rrotën, një kuti e metaltë elektronike, dy telefonë celularë, bileta të udhëtimit dhe një pasaportë italiane. Menjëherë pas informacionit të marrë, në ora 18:45 është aktivizuar Njësiti për Operacione Speciale të Policisë me ç’rast janë angazhuar 50 policë me 10 mjete motorike, si dhe 120 policë tjerë nga Njësiti për Zbarkim të Shpejtë me 15 mjete motorike », thuhet në njoftimin e MPB-së së Maqedonisë.

Mësohet se Visar Begaj me 5 kolegët e tjerë ishin nisur për festë në Prishtinë, ku do të kremtonin njëvjetorin e klubit të aviacionit «Kosova fly academy», të cilëin e kishte themeluar vetë ai. Këtë e dëshmojnë familjarët e tij, të cilët mbrëmë menjëherë pas aksidentit kishin vizituar zonën e tragjedisë. Ata kanë thënë për televizionin Shenja, se Begaj rregullisht kishte ndaluar në Shkup për t’u furnzuar me karburant, pasi kerozina e përshtatshme për aeroplanin «Pajper» nuk shitej në Prishtinë. Bashkë me ta, nga Italia, ishin nisur edhe dy aeroplanë të tjerë të vegjël, të cilët fatmirësisht kishin arritur të aterrojnë në Aeroportin e Shkupit. Për shkak të tragjedisë është anuluar festa e paralajmëruar e njëvjetorit të themelimit të aero-klubit të Visar Begajt dhe nuk ka asnjë informatë nëse ajo do të mbahet në të ardhmen.

Vendi i aksidentit
Vendi i aksidentit