Begaj i Malishevës, kryetari më i pasur në jug të Kosovës

Deklaratat e deponuara në Agjencinë Kundër Korrupsionit nga kryetarët e komunave të jugut të Kosovës, me sqarimet që janë dhënë nga ata, kanë bërë që të ndryshojë paksa ranglista e kryetarëve më të pasur në këtë rajon.

Në bazë të deklaratave të vitit të kaluar, kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, figuronte si kryetari më i pasur, i pasuar nga kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, shkruan sot «Koha Ditore». Mirëpo sqarimet që i ka dhënë Vehapi në deklaratën e sivjetme tregojnë se një pjesë të pasurisë së vlefshme e ka në posedim të përbashkët me vëllezërit e tij.

Kështu, kreu i Malishevës, Ragip Begaj në bazë të deklaratave të publikuara nga AKK-ja del të jetë kryetari më i pasur ndër homologët e tij nga komunat në jug të vendit.

Begaj, në formularin e deklarimit të pasurisë ka paraqitur se ka një shtëpi banimi në vlerë prej 80 mijë eurosh, dhe se ka trashëguar truall në vlerë 25 mijë euro, tokë bujqësore që vlen 75 mijë euro, pyje në vlerë 10 mijë euro, pastaj një truall të ndarë nga Kuvendi në vitin 2002 në vlerë prej 10 mijë eurosh, një pyll në vlerë prej 10 mijë eurosh dhe një banesë në vlerë 70 mijë euro, nga pasuria e përbashkët me vëllezërit.