Befasia në Bernë: këngëtarët «pushtojnë» parlamentin

Të premten, derisa kryetari i Parlamentit të Zvicrës, Stéphane Rossini, po mbante fjalimin e fundit për këtë legjistlaturë, nga të gjitha anët e sallës u futën ciceronë turistësh, rojtarë dhe shërbëtorë parlamenti, gazetarë dhe fotografë - dhe filluan të këndojnë.




Së paku ashtu dukeshin. Sa më shumë këndonin, aq më tepër vërehej se, në fakt, bëhej fjalë për një ansambël profesionist. Në fund u kuptua: kryetari i parlamentit, i cili luante bindshëm rolin e të befasuarit, kishte angazhuar ansamblin vokal Ardent Bern, anëtarët e të cilit u shpërndanë në sallë nën dirigjimin e Patrick Secchiari. Në shenjë respekti për shoqërinë multikulturore zvicerane solistët kënduan në gjermanisht, frëngjisht dhe italisht. Në Zvicër zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 18 tetor. Të premten parlamentit i kanë thënë lamtumirë 26 deputetë, të cilët nuk do të kandidojnë më. Mes tyre edhe vetë kryetari i deritanishëm Rossini. Pasardhësja e tij Christa Markwalder e përshkroi atë si «president të përsosur» – «jo vetëm për disa, por për të gjithë ne». Ky ishte edhe një aludim në sloganin zgjedhor të Partisë Socialdemokrate të Rossinit, e cila kërkon që nga mirëqenia në Zvicër të përfitojnë të gjithë dhe jo vetëm disa. Rossini i përshëndeti me emër të 26 deputetët që nuk do të jenë më në parlament. Për deputetin e deritanishëm Ueli Leuenberger ai tha se i ka mbrojtur ata që nuk kishin fuqi të mbroheshin. Andreas Gross, sipas Rossinit, është shquar me angazhimin e tij për paqe dhe demokraci. Ndërsa demokristiani Christophe Darbellay ishte kujdesur që në ambasadat e Zvicrës të shërbehet vetëm verë zvicerane. Mbledhja e parë e legjistlaturës së 50-të të parlamentit të ri fillon më 30 nëntor 2015. –lli