BE: Të luftohet propaganda ruse në Ballkan

Tetë shtete anëtare të BE-së kanë kërkuar që Brukseli të luftojë propagandën ruse në Ballkan. Mes tyre është edhe Kroacia.

Foto: Shutterstock



Republika e Kroacisë është një prej tetë shteteve anëtare të Bashkimit Europian që ka nënshkruar një letër, e cila i është dërguar kryediplomates së BE-së, Federica Mogherini, ku kërkohet që shërbimi diplomatik i Brukselit (EEAS) të zgjerojë aktivitetet për pengimin e propagandës ruse – sidomos në Europën juglindore dhe në Ballkanin perëndimor, shkruan EUobserver. Perveç Kroacisë letrën e kanë nënshkruar Çekia, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Suedia dhe Britania e Madhe.

Në letër theksohet se «të ballafaquar me fushatën e pandërprerë të dezinformimit pas së cilës qëndron pala e tretë (Rusia), shohim domosdoshmërinë urgjente të forcimit të kapaciteteve të StratCom të Bashkimit Europian». StratCom është një platformë e BE-së për ballafaqim me propagandën ruse. Ajo është themeluar me përkrahjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së me qëllim që të zbulojë të pavërtetat mbi BE-në, të cilat i shpërndan Rusia.

Në letër kërkohet që të fillojnë të punojnë me kapacitet të plotë edhe dy filiala të StratCom-it për Ballkanin jugor dhe perëndimor. Nga BE kërkohen më shumë para për të investuar në teknologji inovative.

EUobserver thekson se shtetet e përmendura gjenden në «vijën e parë» të asaj që e quajnë «fushatë të sofistikuar dhe intensive e akterëve të jashtëm me qëllim që të gjenerohet mosbesim dhe pakënaqësi ndaj rendit demokratik, të diskreditohet BE, komuniteti transatlantik dhe partnerët europianë si dhe të dobësohet uniteti europian».
Disa diplomatë theksojnë se StratCom u themelua me insistimin e Donald Tuskut, presidentit të Këshillit Europian, ndërsa Mogherini «as atëherë nuk ka treguar ndonjë interesim të madh». Diplomatja italiane Mogherini para se të bëhej shefe e diplomacisë së BE-së ishte kritikuar për qëndrime proruse apo naive ndaj Kremlinit. Për StratCom punojnë vetëm 14 persona, prej tyre dhjetë janë diplomatë të shteteve anëtare. (dp)