BE-ja shqyrton praninë e re, me mandat ekzekutiv, edhe pas EULEX-it

Në Bashkimin Evropian janë të interesuar që misioni i EULEX-it të përmbyllet në Kosovë sipas planit dhe, mundësisht, nëse nuk do të mbetet në kujtesë shumë për të mirë, për shkak të skandaleve, së paku që të mos mbetet në kujtesë për të keq, shkruan sot Koha Ditore.




Por në kohën kur kanë mbetur edhe më pak se një vit për të përmbyllur këtë mision në Kosovë, në BE po mendohet për një prani të vazhdueshme në fushën e politikës së sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë edhe pas largimit të Misionit të tanishëm, dhe në disa raste edhe me mandat ekzekutiv.

Në një «non paper» që qarkullon në BE, që mendohet se është hartuar së bashku nga Gjermania dhe Britania e Madhe, të cilin e ka siguruar «Koha Ditore», thuhet se, me gjithë sukseset e Misionit, ende nuk është arritur niveli i dëshiruar për fazën përfundimtare.

Pra këtu thuhet se ende nuk është arritur qëllimi i definuar në fushën e rendit dhe ligjit për një sistem gjyqësor transparent, llogaridhënës, multietnik dhe të qëndrueshëm të drejtësisë, me standardet e pranuara evropiane, duke e përfshirë edhe antikorrupsionin dhe pa një ndërhyrje politike.