BE-ja shqyrton mundësinë e uljes së tarifave roaming për Ballkanin

Komisioni Europian po konsideron uljen e tarifave roaming për Ballkanin Perëndimor, pas thirrjeve nga disa vende kandidate për heqjen e këtyre tarifave.

Foto: Shutterstock



Komisonerja Europiane në krye të Ekonomisë dhe Shoqërisë Dixhitale, Mariya Gabriel, ka kërkuar që shërbimet e komisionit të zhvillojnë një strategji për uljen e tarifave roaming mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, tha për BIRN një zëdhënës i Komisionit Europian.

Gabriel e lajmëroi iniciativën të mërkurën e kaluar, në një takim të ambasadorëve të BE-së nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se integrimi dixhital i Ballkanit ishte prioriteti i saj.

«Komisioni ka inkurajuar tashmë operatorët mobil të afrojnë normat e roaming-ut me kostot e rrjedhjeve të të dhënave ndërkufitare në rajon», tha zëdhënësi. Megjithatë, ata nuk kanë komentuar për kohën e mundshme të heqjes së tarifave roaming. Për vendet e BE-së dhe Zonës Ekonomike Europiane (Norvegjia, Islanda dhe Litenshteini) procesi mori 10 vjet.

Fundi i tarifave ekstra roaming për komunikimet mobile brenda BE-së dhe EEA-së mori fund më 15 qershor të këtij viti dhe u festua si një histori madhore suksesi për të drejtat e konsumatorëve. Megjithatë, shpejt vendet e Ballkanit kërkuan rregulla të ngjashme për rajonin.

Më 19 qershor, ministrat e telekomunikacionit në Serbi, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni lajmëruan se kishin rënë dakord të dërgonin një letër të përbashkët te Komisioni Europian, duke kërkuar vendimin e heqjes së tarifave roaming për katër vendet.

Në një blog për Grupin e Ballkanit në Politikat e Europës, Dr. Marko Kmeziq, një hulumtues i lartë në Universitetin e Gracit në Austri, argumentoi se shtrirja e politikës së lirë të roaming-ut në Ballkanin Perëndimor do të «bashkonte vërtet njerëzit» dhe do të ofronte «një arsye të prekshme për të rifituar besimin në projektin e BE-së për qytetarët e Ballkanit», e cila është në rënie.

Përkundër thirrjeve të fundit, një nga barrierat kryesore në heqjen e tarifave të roamingut është fakti se rregulloret e roamingut kontrollohen nga legjislacioni i brendshëm i tregut të BE-së dhe nuk mund të shtrihen drejtpërdrejt tek operatorët që punojnë jashtë Tregut të Përbashkët Europian.

Ndërkohë, BE-ja ka inkurajuar iniciativa si një marrëveshje rajonale për roaming, të nënshkruar në vitin 2014 mes Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë, që sipas të dhënave të Komisionit Europian ka ulur kostot në 80 për qind për Ballkanin Perëndimor që nga viti 2015.

Të dhënat e BE-së tregojnë se marrëveshja, e cila nuk mbulon Shqipërinë dhe Kosovën, ka pasur një ndikim te njerëzit dhe bizneset.

«Koha është tani. Kjo është një mundësi për Ballkanin, për Bashkimin Europian dhe për Bullgarinë, që do ta marrë presidencën e Këshillimit Europian në janar», tha Gabriel për ambasadorët e Ballkanit.

Sa paguajnë ballkanasit për roaming në BE?

BIRN kontrolloi disa nga operatorët më të mëdhenj të Ballkanit në lidhje me çmimet në roaming për BE-në. Çmimet e telefonatave hyrëse dhe dalëse variojnë nga shteti në shtet dhe operatorët telefonikë aplikojnë çmime të ndryshme për disa vende të BE-së.

Për shembull, Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria i konsiderojnë të gjitha vendet e BE-së një zonë të vetme dhe aplikojnë çmime të barabarta. Megjithatë, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina jo.

Mesatarisht, një telefonatë 1-minutëshe nga një numër maqedonas për në BE kushton 1 euro, në Serbi 1.4 euro dhe në Shqipëri rreth 2.5 euro.

Në Bosnje dhe Kosovë tarifat janë të ndryshme dhe variojnë nga 1.3 deri në 3.5 euro për minutë. Në Kosovë çmimet janë më pak se 0.5 euro për minutë më vende si Gjermania dhe mbi 2 euro me vende si Lituania apo Qipro.

Megjithatë, shumica e operatorëve në Ballkan, ofrojnë paketa udhëtimi për klientët, që i lejon të telefonojnë, dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internet me çmime më të ulëta.

(Publikuar fillimisht në https://www.reporter.al/be-ja-peshon-uljen-e-tarifave-roaming-per-ballkanin/)