BE-ja përmbyll projektin 2,8 milionësh për MTI-në, konstatohen shumë probleme

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përmbyllur projektin në vlerë prej 2.8 milionë eurosh, për zhvillimin e mëtutjeshëm të politikës tregtare. Ky projekt, i cili ka zgjatur katër vjet, e ka ndihmuar Ministrinë e Tregtisë në rrugën drejt MSA-së. Raporti përfundimtar i BE-së për këtë rrugëtim ka konstatuar një numër të madh problemesh, raporton KTV.




Futja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian pritet të sjellë sërish ndryshim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Një propozim të tillë e ka dhënë vetë Bashkimi Evropian, pasi që me futjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, do të bien të hyrat doganore dhe me këtë buxheti mund të ketë rënie të hyrash.

Shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, ka thënë se pret që në fillim të vitit të ardhshëm të nënshkruhet MSA-ja.

“Me këtë marrëveshje eksportuesit mund të përfitojnë duke dërguar prodhimet e tyre në zonën e BE-së. Kjo padyshim se do të ndryshojë situatën ku Kosova përballet me papunësi, varfëri të lartë dhe rritje të ulët ekonomike. Suksesi i MSA-së varet tërësisht se si Kosova do t’i implementojë kushtet e parapara në të. Në kuadër të saj, në fund të 2016-ës, BE-ja do ta mbështesë Kosovën me qëllim që ajo të mund të plotësojë kushtet e parapara në MSA”, ka thënë Zhbogar.

Këto komente u bënë në përmbyllje të projektit 2.8 milionësh të BE-së për zhvillimin e tregtisë kosovare.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se ministritë që lidhen me resorin e ekonomisë kanë bërë punë të madhe në plotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara.

Ajo ka pranuar se mungesa e energjisë do të vazhdojë të mbetet problemi kryesor i zhvillimit të bizneseve.

Bajrami ka thënë se CEFTA i ka dëmtuar një numër biznesesh të Kosovës, të cilat në atë kohë kanë qenë akoma në një stad fillestar të zhvillimit.

Nga ana tjetër, zyrtarë të BE-së kanë përmendur si faktor problemin e mosfunksionimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Në raportin e BE-së, që e ka mbikëqyrur këtë projekt, thuhet se rritja e eksportit në Kosovë është e kufizuar kryesisht nga faktorë të ofertës.

Raporti përmend rrezikun që ka ekonomia e vendit nga krizat ndërkombëtare për shkak të pjesëmarrjes në masë të madhe në eksport të mineraleve të papërpunuara dhe atyre bazë.

Politika tatimore që nga 99-ta ka penguar hartimin e politikave tregtare në Kosovë, duke kufizuar mundësinë që përmes përdorimit të taksave të mbrohet industria vendore.

Raporti thotë se politikat liberale tregtare të viteve të fundit kanë dështuar të japin rezultatet e pritura, që do të ndikonin në krijimin e një baze të fortë të prodhimit dhe të zhvillimit të sektorit privat, por që ka rënduar më tej vartësinë e importit duke zgjeruar deficitin tregtar.