BE bën thirrje për zbatimin e vetingut

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të martën delegacioni BE-së në Tiranë dhe ambasadat e vendeve anëtare, i bën thirrje klasës politike shqiptare të plotësojë angazhimin e marrë për zbatimin e procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Flamuri i Bashkimit Europian. Foto: Kirsty Wigglesworth/AP



«Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç parashikohet në legjislacionin që është rishikuar tanimë nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, duhet të fillojë», tha BE.

BE-ja kujton se progresi i besueshëm dhe i prekshëm i pesë përparësive kyçe, zbatimi i reformës së drejtësisë dhe në veçanti i ligjit të rivlerësimit janë thelbësore për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur gjithashtu si ligji vetingut, parashikon kontrollin e integritet të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, kontrollin e pasurisë dhe profesionalizmin e tyre.

Ligji parashikon ngritjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimi dhe Kolegjit të Apelimit, dy institucione anëtarët e së cilëve pritet të zgjidhen në parlament. Por ndërkohë që parlamenti pritet që nga dita në ditë të votojë anëtarët e komisioneve, dy shoqata gjyqtarësh kanë bërë një padi të re në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit të vetingut dhe dy ligjeve të tjera pjesë të reformës në drejtësi.

Në kërkesën e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Unioni dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkojnë shfuqizimin e një numër nenesh të ligjit të vetingut, të cilat rregullojnë kontrollin e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve përsa i përket lidhjeve dhe përfshirjes së tyre me krimin e organizuar.

Ata kundërshtojnë shtrirjen e kontrolleve në kohë, për lidhje të mundshme midis gjyqtarëve, prokurorëve dhe pjesëtarëve të krimit të organizuar, duke filluar nga 1 janari 2012, si në tejkalimin e normave kushtetuese. Një parashikim tjetër i ligjit që kundërshtohet nga shoqatat si jokushtetues ka të bëjë me kontaktet që mund të kenë pasur me krimin e organizuar persona të lidhur me gjyqtarë dhe prokurorë.

Padia në mënyrë të veçantë kundërshton dhe mënyrën se si do të bëhet kontrolli i pastërtisë së figurës dhe provat që do të vlerësohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi dhe Kolegji i Apelimit.

Shoqatat e gjyqtarëve vlerësojnë se parashikimet e ligjit të vetingut mbi mënyrën si do të sigurohen dhe administrohen provat nga «grupi i kontrollit» gjatë procedurës së rivlerësimit kalimtar shkon përtej kushtetutës.

Shoqatat kundërshtojnë administrimin si provë gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të dëshmive të dhëna nga dëshmitarë të mbrojtur të prokurorisë, ku mund të flitet për lidhjet e tyre me krimin e organizuar. Ato gjithashtu kundërshtojnë përdorimin si provë në procesin e rivlerësimit të informacioneve konfidenciale, si përgjimet telefonike parandaluese të bëra nga agjenci ligj zbatuese dhe informacioneve të dhëna nga oficerë dhe agjentë të policisë gjyqësore.

Një tjetër nen i kontestuar i ligjit të vetingut ka të bëjë më të drejtën e gjyqtarit dhe prokurorit për të dhënë dorëheqjen gjatë procesit të rivlerësimit të integritetit të figurës, që sjell si rrjedhojë ndërprerjen e kontrollit. Ligji ka parashikuar që gjyqtarët dhe prokurorët mund ta ushtrojnë këtë të drejtë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e tij. Sipas shoqatave, ky përcaktim është jokushtetues dhe subjektet duhet të kenë të drejtë të japin dorëheqjen dhe, si rrjedhim, ta ndërpresin kontrollin gjatë gjithë procesit të vetingut.

(https://www.reporter.al/be-ben-thirrje-per-zbatimin-e-vetingut-kyc-per-integrimin/)