BE bën thirrje për qetësi pas incidentit diplomatik mes Serbisë dhe Maqedonisë

Bashkimi Europian shpreson që Beogradi dhe Shkupi do ta «zgjidhin çështjen me qetësi», pasi Serbia tërhoqi të gjithë stafin diplomatik nga vendi fqinj.

Foto: Shutterstock



Një zëdhënës i Komisionit Europian i tha BIRN-it përmes një deklarate të martën se incidenti diplomatik në Shkup është «një çështje bilaterale mes dy vendeve, e cila po ndiqet ngushtësisht nga Bashkimi Europian».

«Ne kërkojmë nga të dyja palët që të përmbahen dhe ta zgjidhin çështjen me qetësi, në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë», deklaroi Komisioni i BE.

Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, David McAllister lëshoi një deklaratë të ngjashme përpara vizitës së tij të pashmangshme në Serbi.

Të dielën, Serbia tërhoqi në mënyrë të papritur të gjithë stafin e vet diplomatik nga Shkupi i Maqedonisë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq thanë të hënën se e tërhoqën stafin diplomatik nga Maqedonia, pasi u informuan rreth «veprimeve ofensive» të planifikuara kundër Serbisë.

Vuçiq deklaroi të hënën se stafi i ambasadës serbe u tërhoq nga Maqedonia, pasi Beogradi mori «prova mbi veprime fyese të shërbimeve inteligjente kundër institucioneve të Serbisë».

Ministri i Jashtëm, Daçiq dha një deklaratë të ngjashme për agjencinë e lajmeve Tanjug, duke cituar gjithashtu «veprime kundër Republikës së Serbisë».

Të dy, Vuçiq dhe Daçiq thanë gjithashtu se «fuqitë e huaja» ishin të përfshira, por refuzuan të jepnin më shumë detaje.

Megjithatë, ish-ambasadori i Bashkimit Europian në Maqedoni, Erwan Fouere tha për BIRN se tërheqja e diplomatëve ishte një zhvillim shqetësues.

«Nëse atje ekzistojnë opinione të ndryshme mes fqinjësh, tërheqja e të gjithë stafit diplomatik, siç bëri Serbia në rastin e Maqedonisë, nuk është mënyra e duhur për t’i zgjidhur dallimet. Është krejt e kundërta», tha ai të martën.

Fouere shtoi se qeveria e re e Maqedonisë, e drejtuar nga Zoran Zaev doli nga rruga e vet për të ndërtuar marrëdhënie të ngushta dhe të respektueshme me Serbinë, përmes dialogut të matur.

«Presidenti Vuçiç duhet t’i tregojë në mënyrë reciproke shpirtin e shtetarit në vend që të përpiqet të sillet si i forti i ri i Ballkanit», theksoi ai.

Ndërkohë, Vuçiq u takua të martën me ambasadorët e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, por njoftimet e shtypit serb nuk japin asnjë të dhënë nëse u diskutua për incidentin diplomatik.

(https://www.reporter.al/be-ben-thirrje-per-qetesi-pas-incidentit-diplomatik-mes-serbise-dhe-maqedonise/)