BDI po merr në konsideratë të braktisë qeverinë aktuale të Maqedonisë

Liderët e BDI-së dhe ministrat e partisë në qeverinë e përkohshme. Foto: MIA



Ekspertët thonë se dorëheqja e mundshme e ministrave shqiptarë nga qeveria e përkohshme e Maqedonisë do të rrisë «presionin» për formimin e një qeverie të re, por nuk do të zgjidhë domosdoshmërisht krizën aktuale.

Ata kanë dyshime nëse do të ketë fuqinë për të detyruar presidentin dhe ish-partinë në pushtet VMRO DPMNE-në për t’i dhënë fund bllokimit për formimin e një qeverie të re nga Partia Social Demokrate, LSDM.

Debati vjen teksa partia kryesore etnike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, tha se së shpejti do të marrë një vendim nëse do të tërheqë dy zv. kryeministrat dhe tetë ministrat e saj nga qeveria e përkohshme.

Por BDI pranoi se kjo nuk do të thotë se do të rrëzohet qeveria ekzistuese, e cila ende po udhëhiqet nga ish-partnerët e tyre qeveritarë, VMRO DPMNE.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani tha se partia synon «të përcjellë një mesazh politik përmes dorëheqjes së ministrave, për të treguar… se BDI do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të krijuar institucione të reja dhe për të materializuar aleancën e saj të re me SDSM».

Pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit, BDI ndërpreu aleancën e saj të hershme me VMRO DPMNE-në dhe u bashkua me shumicën e re parlamentare të udhëhequr nga LSDM-ja.

Por formimi i institucioneve të reja dhe i një qeverie të re ka mbetur i bllokuar që kur presidenti Gjorge Ivanov refuzoi t’i japë mandatin për të formuar një qeveri liderit të LSDM-së Zoran Zaev, pavarësisht se ai kishte shumicë parlamentare.

Ivanov deklaroi se pranimi nga Zaev i të ashtuquajturës «Platforma shqiptare», një listë e përbashkët kërkesash për drejta më të mëdha nga partitë shqiptare, mund të shkatërrojnë Maqedoninë.

Ligjërisht, dorëheqja e më shumë se një të tretës së ministrave në një qeveri – të cilët i ka BDI-ja – do të thotë se qeveria ka rënë.

Megjithatë, qeveria e përkohshme, e formuar para zgjedhjeve të 11 dhjetorit për të garantuar zgjedhje të ndershme, teknikisht tashmë ka dhënë dorëheqjen.

Çfarëdo që të vendosë partia, ministrat e BDI-së nuk mund të braktisin postet e tyre deri sa në parlament të bëhen zëvendësimet e tyre, gjë që është e vështirë për t’u parashikuar, pasi deputetët e VMRO DPMNE-së vazhdojnë të vonojnë çështjet.

Analisti politik Petar Arsovski tha se nëse ministrat e BDI-së tërhiqen, kjo do t’i vështirësonte gjërat për VMRO DPMNE-në, si dhe do të nënvijëzonte absurditetin e ngërçit aktual.

«Lëvizja e BDI-së do të përshpejtojë një zgjidhje të krizës, dhe nëse ndiqet shembulli i ministrave nga nëpunësit edhe më të vegjël të BDI-së, kjo do të nënvijëzonte absurditetin e situatës ku jemi», tha Arsovski.

«Qëllimi i BDI-së është të bllokohet qeveria në mënyrë që të nxitet nevoja e zgjedhjes së një qeverie të re. Vetëm në këtë mënyrë, lëvizja e tyre do të ketë kuptim», shtoi ai.

BDI ka thënë se ka nisur konsultimet e brendshme për ndërmarrjen ose jo të këtij hapi. Partia pritet të marrë një vendim në ditët e ardhshme.

Zgjedhjet e parakohshme dështuan të zgjidhin krizën e gjatë politike në vend. Opozita thotë se Gruevski po kapet pas pushtetit për t’i shpëtuar një gjyqi të mundshëm për krimet që ai akuzohet.

(https://www.reporter.al/bdi-po-merr-ne-konsiderate-te-braktise-qeverine-aktuale-te-maqedonise/)