BDI mblidhet sërish të dielën: Me VMRO-në, por me një Nikolla tjetër?

Mbledhja tetëorëshe e Kryesisë Qëndrore të BDI-së ka përfunduar me vendim për t’u vazhduar të dielën. Partia e Ahmetit ende nuk ka një vendim zyrtar nëse do të shkojë në koalicion me Nikolla Gruevskin. Jozyrtarisht, nëpër koloaret partiake, flitet se BDI do të mbetet në koalicion me VMRO-në, por në vend të Nikolla Gruevskit kryeministër do të jetë Nikolla Popovski

Nikolla Popovski dhe Nikolla Gruevski



Mbledhja e kryesisë qëndrore të Bashkimit Demokratik për Integrim ka përfunduar të shtunën pa ndonjë vendim lidhur me koalicionin e ardhëshëm qeveritar.  Ajo do të vazhdohet të dielën, në ditën e fundit të afatit kohor për mandatarin Nikolla Gruevski. «Kemi vendosur që nesër të vazhdojmë përsëri me të njëjtin format. Thjesht nuk janë shterur të gjitha argumentet të cilat anëtarët e kryesisë i kanë për opsionet që kemi. Ashtuqë lam hapësirë që nesër të vazhdojmë debatin», deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, pas takimit.

Me insistim të mediave, me një deklaratë të shkurtër u paraqit edhe kreu i BDI-së, Ali AHmeti, i cili tha se partia e tij po kërkon zgjidhjen më të mirë për qytetarët. «Nuk ka përgjigje me kë shkohet në koalicion. Po analizohen të gjitha opsionet për vendim sa më të mirë në dobi të shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë – shqiptarët, maqedonasit, serbët, vllehët, deklaroi Ahmeti.

Para përfundimit të mbledhjes, tre nënkryetarët e partisë të cilët janë kategorikisht kundër vazhdimit të koalicionit me VMRO-DPMNE-në e Nikolla Gruevskit – Nevzat Bejta, Teuta Arifi dhe Izet Mexhiti – e lëshuan mbledhjen e kryesisë dhe u nisën drejt Shkupit. Më pas ata u kapën nga kamerat e mediave në Maqedoni para selisë së LSDM-së opozitare. Qëndrimin e tre nënkryetarëve të BDI-së në selinë e socialdemokratëve në mënyrë të tërthortë e konfirmoi edhe vetë Ahmeti duke sqaruar se veprimi i tyre nuk ka qenë kokë më vete, por me dijeninë e tij.

E diela është dita e fundit deri kur mandatari Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe ish kryeministër i Maqedonisë, ka afat për të propozuar në Kuvend përbërjen e re të kabinetit qeveritar. Nëse deri në mesnatën mes së dielës dhe aë hënës ai nuk arrinë të formojë qeveri, atëherë mandatin duhet t’ia kthejë presidentit Gjorgji Ivanov. Për rjedhën e mëtejme të zhvillimeve nuk saktëson askush zyrtarisht – as si do të veprojnë partitë, e as kush do ta marrë mandatin më pas nga presidenti Ivanov. Por nëpër koloaret partiake dhe mediatike flitet për një skenar tjetër që do t’i mundësojë BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së të koalicionojnë, duke ndryshuar vetëm kryeministrin, i cili përsëri do të jetë nga partia e Nikolla Gruevskit. Në vend të këtij të këtij të fundit, flitet se do të vijë Nikolla Popovski, aktualisht ministër i punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër i Maqedonisë. Ai fillimisht do ta marrë mandatin nga presidenti Ivanov dhe më pas do të arrijë marëveshje me BDI-në për formimin e një koalicioni qeverisës, VMRO-BDI.

Partitë opozitare shqiptare kanë reaguar duke rikujtuar Ahmetin se nuk guxon të shkelë platformën e përbashkët të partive shqiptare, mes të cilave, si pika më të rëndësishme janë vlerësuar barazia e shqiptarëve dhe vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale Publike. Nga Lëvizja Besa, që tani e kanë akuzuar BDI-në e Ahmetit për tradhëti, për faktin se është ulur në tryezën e bisedimeve me Nikolla Gruevskin, i cili publikisht është deklaruar kundër zyrtarizimit të plotë të gjuhës shqipe dhe kundër vazhdimit të mandatit të PSP-së.

«Pas zotimit të përbashkët të partive shqiptare të Maqedonisë, të ulësh dhe të bashkëpunosh me ata të cilët paraprakisht janë deklaruar kundër dygjuhësisë dhe Prokurorisë Speciale Publike, është jo vetëm shkelje e parimeve për të cilët janë zotuar në atë deklaratë, por edhe tradhëti ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar në arritjen e saj. Ne si Lëvizje Besa do të ju përmbahemi parimeve për të cilët jemi zotuar, duke mbrojtur interesin tonë politik dhe kombëtar, duke mos bashkëpunuar me antishqiptarë të llojit të këtillë», tha Faton Fazliu. Nga Lëvizja për Reforma PDSH thanë se qëndrimin e tyre do ta shpalosin pasi BDI të marrë vendimin përfundimtar sa i përket koalicionit me VMRO-DPMNE-në.