Bastiset xhamia An’Nur në Winterthur

Në orët e mëngjesit të së mërkurës policia ka filluar një kontroll në xhaminë e kontestuar. Në shënjestër të tij është imami i saj i ri.

Pamje nga ambientet e jashtme dhe të brendshme të xhamisë An'Nur që qarkullojnë në internet

Sipas tages Anzeiger, aksioni i policisë po vazhdon nga orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës. Po kontrollohet xhamia An’Nur, e cila është vendosur në katin e parë të një objekti në Winterthur. Në vendngjarje shihen disa vetura të policisë. Ajo e ka konfirmuar aksionin. Sipas një njoftimi të saj, fjala është për zbatimin e një urdhër-bastisjeje në autorizim të Prokurorisë së Winterthurit.

Gazeta raporton që në shënjestër të hetimeve, ndër të tjera, është imami i ri i xhamisë, i njohur si Shaik Abdurrahman. Sipas njohësve të xhamisë, ai është me prejardhje nga Somalia, por ligjëron në arabishten letrare. Prokuroria dhe Policia do të paraqiten në një konferencë për mediat lidhur me bastisjet e sotme.

An’Nur është xhamia më e problematizuar në opoinionin publik zviceran. Aty kanë frekuentuar një sërë xhihadistësh të rinj të cilët i janë bashkuar ISIS-it në Siri dhe Irak. Për më tepër, flitet se aty janë mbajtur predikime radikale. Në fakt, ajo po vëzhgohet prej kohësh nga policia, informacione të cilat kanë dalë në kuadër të raportimit për raste të radikalizmit.

Shaik Abdurrahman është një imam i ri në Winterthur. Ai jeton në objektin induatrial të xhamisë dhe ka rënë në sy për predikimet e tij radikale, sikurse edhe paraardhsësit e tij. Imami pararendës ishte dekonspiruar si radikal përmes ca incizimeve të fshehta. Para ca kohësh ai u hoq si imam, zyrtarisht për arsye financiare. Më së gjati në këtë xhami ka shërbyr paraardhësi i të dy imamëve të fundit, një libian i cili vazhdon të jetojë në Winterthur, njëlloj i akuzuar për radikalizimin e të rinjve.

Nga vetë xhamia An’Nur nuk është prononcuar askush lidhur me kontrollet e policisë. Ishte bastisur edhe objekti i xhamisë pararendëse të kësaj, e cila më 2008 ishte mbyllur, sepse qiradhënësi i kishte dhënë largim asaj. Edhe An’Nur-it i skadon kontrata e qirasë në fund të këtij viti. Dhe, qiradhënësi nuk e vazhdon atë. Shoaqata e xhamisë është shprehur e bindur se do të gjejë një objekt të ri, por deri më tani nuk ka pasur sukses. ks