Bastet favorizojnë Daçiqin si kryeministrin e ri serb

Në Serbi bastet për kryeministrin e ri kanë filluar ethshëm, ndërsa pretendenti kryesor i tyre është kreu i Partisë Socialiste, Ivica Daçiq, i cili ka qenë më parë kryeministër.

Ivica Daçiq



Bastexhinjtë në Serbi e vlerësojnë Ivica Daçiqin, partnerin e koalicionit qeverisës, si njeriun me më shumë gjasa të zëvendësojë kryeministrin aktual dhe së shpejti presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të 2 prillit.

Daçiq është i preferuari i tyre krahasuar me ministrin e financave, Dushan Vujoviq i cili renditet i dyti.

Kreu i Partisë Socialiste ka lënë të kuptohet interesin e tij për pozicionin e kryeministrit, ndërsa sugjeron se mund të mos e marrë atë.

«Nëse ai [Vuçiq] mendon se kjo është zgjedhja më e mirë, atëherë do të flisnim seriozisht», tha Daçiq për të përditshmen Blic më 30 prill, duke shtuar se nëse nuk duan që dikush të marrë një post, zakonisht e rekomandojnë atë. Për shkak të kësaj, nuk do të jem unë kryeministri», shtoi ai me ironi.

Bojan Klaçar, nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, tha se nuk do të ishte çudi që Daçiqi të bëhej kryeministër nëse nuk do të ishte «zgjidhja tranzicionale» e Vuçiqit.

Klaçar shtoi se në këtë rast Serbia mund të shkonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare vitin e ardhshëm. «Një ndryshim i fuqisë politike të socialistëve nuk i përshtatet Vuçiqit në kuptimin afatgjatë», tha për BIRN Kalçar.

Partia Progresive e Vuçiqit dhe Socialistët e Daçiqit kanë qenë në koalicion që nga zgjedhjet e 2012-tës dhe kjo do të ishte hera e dytë që Daçiqi merr postin kryeministror, pasi e ka mbajtur më parë nga viti 2012 deri në 2014.

Kryeministri zgjidhet nga parlamenti me shumicë votash.

Bastexhinjtë nga Meridian Bet të hënën  e vunë Daçiqin në krye të favoritëve me koeficent 1.8.

Shanset për ministrin e financave Vujoviq janë të larta në 3.50.

Pas Vujoviqit është ministrja e qeverisjes vendore Ana Bërnabiq, e cila është e njohur për qendrimet pro-BE, por edhe si e para zyrtare e lartë LGBT në Serbi.

Blic më 12 maj tha se Kisha Ortodokse Serbe po lobonte fort kundër saj si kryeministre, duke cituar burime afër qeverisë.

Personi që ka më pak gjasa sipas bastexhinjve për postin e kryeministrit, është presidenti serb në largim Tomislav Nikoliq. Ministrja e infrastrukturës Zorana Mihajloviq renditet me shanse të mesme.

(https://www.reporter.al/bastet-favorizojne-dacic-si-kryeministrin-e-ri-serb/)