«Bashkimi» nga Mali i Zi dhe rekordet e tij në Zvicër

Një shtetas malazez, të cilit gazeta zvicerane «SonntagsZeitung» ia ka vënë emrin «Bashkim», është dëbuar katër herë nga Zvicra – me avion special. Por ai s’bëhet merak për këtë dhe kthehet vazhdimisht në Zvicër. Dëbimi i tij deri më tani ka kushtuar rreth 200 mijë franga.

Foto: Shutterstock



Që nga tetori i vitit 2012 një shtetas malazez nuk guxon të qëndrojë në Zvicër. Por ky 43-vjeçar nuk bëhet merak për këtë. Përkundër ndalimhyrjes ai është kthyer vazhdimisht në Zvicër. Autoritetet e kanë arrestuar dhe deri më tani e kanë kthyer katër herë në Mal të Zi – me avion special dhe me para të taksapaguesve. Tani ai ndodhet sërish në burg pasi për të pestën herë kishte ardhur ilegalisht në Zvicër. Rastin e tij e ka bërë publik gazeta zvicerane «SonntagsZeitung».

«Bashkimi», siç ia ka vënë emrin gazeta me qëllim që të mbrojë të dhënat e tij, për herë të parë kishte qëndruar në Zvicër nga viti 1991 deri më 1992 si azilkërkues. Pas dëbimit të tij nga Zvicra ai qëndroi në Gjermani dhe në Mal të Zi. Në verën e vitit 2008 ai në atdheun e tij u martua me një shtetase zvicerane – ai ishte 35 vjeçar, ajo 53-vjeçare. Tre muaj më vonë «Bashkimi» erdhi në Zvicër dhe në kantonin e Bernës mori një leje qëndrimi. Kjo leje u vazhdua edhe në kantonin e Zürichut. Në kërkesën e tij për vazhdim të lejes së qëndrimit «Bashkimi» kishte deklaruar se nuk ishte i dënuar. E vërteta ishte krejt ndryshe: më 1998 shtetasi malazez ishte dënuar në Gjermani me 10 vjet burg për shkak se kishte tentuar të vrasë tre persona dhe kishte kryer disa vjedhje të rënda.

Autoritetet zvicerane e zbuluan këtë pjesë të karrierës së tij tek pasi ai u denoncua nga gruaja e tij për shkak të dhunës familjare. Ajo njoftoi policinë se burri i saj ishte dënuar për shkak të një delikti të rëndë. Kësisoj «Bashkimi» u ballafaqua me një ultimatum: të braktisë Zvicrën deri në fund të prillit 2011. Ai luftoi deri në Gjykatën Federale kundër dëbimit – pa sukses. Pas dëbimit ai u kthye kundërligjshëm pesë herë në Zvicër.

Gazeta «SonntagsZeitung» shkruan se personat që refuzojnë disa herë të kthehen në vendin e prejardhjes, e detyrojnë shtetin zviceran të marrë me qira një avion special, me të cilin delikuenti dëbohet në atdheun e tij. Mesatarisht një fluturim i tillë kushton 50 mijë franga. Rrjedhimisht, kthimi i «Bashkimit» në Mal të Zi deri më tani i ka kushtuar Zvicrës 200 mijë franga. Nga mesi i dhjetorit ai do të dëbohet sërish në Mal të Zi – me gjasë me avionspecial. (-lli)