«Bashkëpunimi ekonomik mes Serbisë dhe Shqipërisë po rritet»

Shefi i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, ka deklaruar se në nëntor një delegacion i madh i biznesmenëve serbë do të qëndrojë në Tiranë. Ndërsa kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka thënë se prioritet i Serbisë është ndërtimi i autostradës nga Nishi në Durrës.

Marko Çadezh, shef i Odës Ekonomike të Serbisë.



Kryeministrja e Serbisë gjatë qëndrimit në Shqipëri, ku mori pjesë në takimin me kolegët e saj të rajonit, përcolli dy mesazhe. I pari: Serbia nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës. Kështu tha Ana Bërnabiq në një intervistë për televizionin e Tiranës «Ora News». Mesazhi i dytë: sa i përket projekteve infrastrukturore prioritet i Serbisë mbetet autostrada Nish-Merdar-Prishtinë-Tiranë-Durrës. Bërnabiq këtë rrugë e quan «Autostrada e paqes», ndonëse me vendim të qeverisë së Kosovës ajo bart emrin «Ibrahim Rugova».

Sidoqoftë, evident është interesimi i Serbisë për të thelluar bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë. Sipas shefit të Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, tashmë një vit e gjysmë po vërehet rritja e anëtarëve të Odës bilaterale ekonomike serbo-shqiptare dhe themelimi i ndërmarrjeve të përbashkëta. Çadezh tha se që nga samiti në Nish i mbajtur para një viti e gjysmë, ku përveç biznesmenëve morën pjesë edhe kryeministri i atëhershëm serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk kalon një muaj apo gjashtë javë pa u realizuar vizita të delegacioneve të biznesmenëve serbë në Tiranë apo «të kolegëve tanë nga Shqipëria në Serbi». Çadezh paralajmëroi se në nëntor një delegacion i madh i biznesmenëve serbë do të qëndrojë në Tiranë në panairin e atjeshëm, ku do të mbahet edhe Kuvendi i parë i Odës së përbashkët ekonomike serbo-shqiptare. Sipas tij krahas rritjes së eksportit të mallrave nga Serbia në Shqipëri dhe anasjelltas po intensifikohet edhe bashkëpunimi mes ndërmarrjeve. «Po themelohen ndërmarrje të përbashkëta shqiptaro-serbe. Së fundi është themeluar një e tillë në Tiranë mes <Milanović inžinjeringa> dhe <Delia group> nga Shqipëria, e cila merret me projektet e pastrimit të ujërave të zeza, pompave të ujit dhe projekteve të tjera të kësaj fushe», nënvizoi Çadezh. Ai tha se ka edhe projekte të tjera, siç është shembulli i një korporate shqiptare dhe një ndërmarrjeje serbe për të lansuar një rrjet dyqanesh në Shqipëri. Pas Kosovës, ku Serbia për çdo vit eksporton mall në vlerë prej mbi 400 milionë euro, tani Beogradi po përgatit depërtimin në tregun e Shqipërisë. (-lli)

Ndalohet ribotimi nga mediat e tjera. Copyright: dialogplus.ch