Bashkëpunim bilateral mes Policisë dhe Avokatit të Popullit për të mirën e qytetarëve

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari takoi sot Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Shpend Maxhuni, i pari takim mes dy institucioneve, që nga zgjedhja e Jashari në krye të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP).




Takimi u fokusua në nevojën e mirëkuptimit institucional për mandatet dhe kompetencat që kanë të dy institucionet, transmeton Koha.net.

Jashari theksoi se mandati i institucionit që ai udhëheq është fuqizuar me ligjin e ri për Avokatin e Popullit, i cili ka hyrë në fuqi në korrik të këtij viti, prandaj kërkohet intensifikim bashkëpunimi me institucionet, me theks të veçantë, me Policinë e Kosovës. Kjo është e domosdoshme për të gjetur zgjidhje për rastet që paraqiten në IAP.

Në anën tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës tha se në gamën e madhe dhe komplekse të përgjegjësive që ka Policia e Kosovës dhe menaxhmenti i saj, mbeten të hapur për identifikimin e gabimeve eventuale dhe korrigjimin e tyre, me qëllim të përmbushjes së mandatit, në shërbim të qytetarëve.

Ai theksoi se është e rëndësishme të krijohet një model bashkëpunimi, i cili do të mundësonte adresimin e çështjeve që shkojnë në interes të qytetarëve, mbi bazën e fakteve dhe dëshmive, duke respektuar kompetencat dhe kornizën e përcaktuar ligjore.

Jashari dhe Maxhuni u dakorduan që në të ardhmen t’i kushtohet rëndësi organizimit tëpërbashkët të tryezave, punëtorive, trajnimeve etj., për të ndikuar në njohjen për së afërmi të specifikave të ndërsjella të punës.

Po ashtu, krerët e dy institucioneve u pajtuan që operacionalizimi i bashkëpunimit mes Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Policisë së Kosovës të vazhdojë edhe në nivelet tjera ndërmjet këtyre institucioneve, me qëllim parësor ofrimin e shërbimeve të mira për qytetarin.