Barometri boshnjak: me humor kundër mërzisë

Mbi fakirët dhe bakirët e Bosnjës, zhvendosjen e një vile në Izmir dhe lagjet për boshnjakë në Gjermani.

Foto: Shutterstock



1. Ikja në Izmir
Bakir Izetbegoviqi, shefi i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA), e cila përpiqet të luajë rolin e forcës udhëheqëse politike të boshnjakëve (myslimanëve), e ka një vëlla. Ai quhet Rexhep Taip Erdoan. Kur vëllai i tij nga Bosfori gjendet para zgjedhjeve, Bakir Izetbegoviqi i këshillon turqit axhami që patjetër ta zgjedhin Erdoanin dhe partinë e tij AKP, sepse Erdoanin ia ka dërguar popullit turk vetë Allahu. Kështu tha para një viti Izetbegoviqi, ndërsa Erdoani po mbante një tubim në Sarajevë me përkrahësit e tij nga shumë vende europiane. Shumica e turqve të Stambollit nuk e dëgjuan Bakir-Fakir Boshnjakun. Në zgjedhjet e fundit lokale në metropolin turk doli i pari kandidati i opozitës. Erdoani ka paralajmëruar një betejë ligjore me drejtësinë që e kontrollon vetë për të shqyrtuar rezultatin e pafavorshëm në Stamboll. Bakir Izetbegoviqi i ka humbur nervat dhe paralajmëruar se do ta zhvendosë vilën e tij («vikendicën») nga Stambolli në Izmir. «Nuk mund të shprehem sa jam i zemëruar që humbi Stambollin vëllai im Erdoan, ata njerëz nuk e dinë se çfarë njeriu kanë injoruar. Nuk dua të jetoj në territorin e opozitës, e cila dëshiron të rrëzojë Turqinë e fuqishme dhe të pushtetshme, të cilën e ka krijuar Erdoani. Ata janë elementë të huaj, të cilët me çdo kusht duan ta dobësojnë Turqinë. Do ta zhvendosë vilën në Izmir, sepse atje ai është duke udhëhequr», citohet Izetbegoviq nga një portal shumë serioz nga Sarajeva.

2. Fakiri dhe kamera
Një funksionar i Partisë së Aksionit Demokratik në Sarajevë ka sulmuar një gazetar. Gazetari po kryente punën e tij: shkoi me kamerë para portave të një firme, e cila me gjasë kontrollohet nga funksionari dhe përflitet si çerdhe keqpërdorimesh. Shoqatat e gazetarëve e dënuan sulmin, ndërsa Bakir Fakiri tha se funksionari i partisë së tij nuk e sulmoi gazetarin, por vetëm kamerën. Aha.

3. Shpërblim për rrëfimin më të mirë për terrorizmin
Ka disa javë që Bosnjë-Hercegovinën po e trondit një aferë spiunazhi. Agjentë të shërbimit kroat akuzohen se kanë tentuar t’i detyrojnë disa myslimanë të fusin armë nëpër xhamitë e Bosnjës veriore. Kështu do të konfirmohej teza e kryetares kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq se në Bosnjë po ushtrojnë 10 mijë fanatikë islamistë për të sulmuar Europën dhe sidomos Kroacinë, këtë kala të mbrojtjes së civilizimit dhe krishterimit. Për të stimuluar edhe më shumë raportimet mbi islamistët me mjekra, pantallona të shkurtra dhe tepsi të mëdha me bakllava, me iniciativën e kryetares Grabar-Kitaroviq, shoqata e mediave të regjimit «Joseph Goebbels» do të themelojë një çmim, me të cilin nderohen gazetarët për rrëfimin më të mirë për terrorizmin në Bosnjë. Kështu së paku njofton portali shumë serioz Šatro. Beson kush dëshiron.

4. Lagje për boshnjakë në Gjermani
Mijëra qytetarë të Bosnjës po braktisin vendin. Të gjithë duan të shkojnë në Gjermani. Të gjejnë një vend pune. Po largohen sidomos mjekët dhe infermieret. Disa me diploma të falsifikuara. Kjo ka ngjallur fantazinë e humoristëve, të cilët thonë se tash mjekët dhe infermieret nga Bosnja do të vrasin më shumë gjermanë se partizanët e shokut Tito në Luftën e Dytë Botërore. Që boshnjakët të ndihen sa më mirë në kurbet, është vendosur që në Gjermani të ndërtohen lagje të veçanta për ta. Kështu së paku njofton portali shumë serioz Šatro. Në çdo lagje do të ndërtohet një xhami, çdo të premte do të ketë muzikë në kafehane, rrugët do të bartin emra boshnjakë dhe do të kenë ngjyrën jeshile, bankat në parqe do të jenë të thyera dhe aty-këtu ndonjë vrimë në fasadë apo asfalt nga granatat. Lagjet do të ndërtohen në periferi të qyteteve në mënyrë që muzika e zhurma të mos pengojnë banorët vendas.

5. Para për Ivica Daçiqin
Boshnjakët bëjnë humor kryesisht në llogari të veten. Kjo i dallon nga shumica e popujve të tjerë të Ballkanit. Megjithatë, nganjëherë tallja e fqinjëve është e pashmangshme. Në portalet satirike të Sarajevës bien në sy këta tituj: Emisioni «Dashuri për të gjithë» fillon aksionin e mbledhjes së parave për takimin e (Ivica) Daçiqit me (Donald) Trumpin. Ana Bërnabiq fitoi Oskarin për statiste të vitit. Aleksandër Vuçiqi i shëron me prekje pacientët e spitaleve.