Banorët kushtëzojnë rrënimin e shkollës së vjetër me ndërtimin e së resë

Objekti i ish-shkollës së mesme «Minatori» në Bardh të Madh të Fushë-Kosovës është planifikuar të rrënohet nga zyrtarët e kësaj të fundit.

Sipas komunarëve, objekti është i papërdorshëm dhe nuk i plotëson kushte për shfrytëzim. Ndërkohë, banorët po e kundërshtojnë rrënimin e këtij objekti, që tashti shfrytëzohet për fitnes, shkruan sot «Koha Ditore». Sipas tyre, kjo mund të ndodhë vetëm nëse ndërtohet një objekt i ri.

Rinor Reçica, i cili kalon çdo ditë nëpër oborrin e kësaj shkolle sa herë që del dhe kthehet në shtëpi, thotë se objekti është duke u mirëmbajtur prej se funksionon fitnesi aty.

«Shkolla është t’u u shfrytëzua si fitnes. Më mirë që po shfrytëzohet për fitnes se sa nuk shfrytëzohej hiç filluan me u thye xhamat. E tash është mirë, po rregullohet, po e mbajnë mirë, njëfarë fitnesi i vogël», ka thënë ky banor i Bardhit të Madh.

«Me rrënua bahet katastrofë, s’mbetet kurrgjë ma. Nëse bahet e re ban. I shfrytëzueshëm është, ai njeri e ka marrë e ka ndreq brenda. Nuk ka arsye me u rrënue, veç nëse ndërtohet diçka e re. Ndryshe nëse veç e rrënojnë nuk ia vlen. Ma mirë me lanë kështu».