Banorët i detyrojnë komunarët që të shtyjnë rrënimin e objektit të tyre

As Njësia speciale e Policisë së Kosovës nuk ka bërë punë që objekti i vjetër rreth 60-vjeçar të rrënohej nga Komuna e Skënderajt në rrugën kryesore «28 Nëntori», në qendër të qytetit.




Policët nuk kanë arritur që t’i largojnë të gjithë banorët nga kjo banesë e tipit shtëpi, disa prej të cilëve kanë qëndruar në katin e dytë. Dera e hekurit në katin e parë i ka pamundësuar policisë largimin e disa prej banorëve aty. Punë nuk ka bërë as negocimi «në distancë» me banorët lart, shkruan sot Koha Ditore.

Me sharje, lot e protesta është përcjellë ky aksion i inspektorëve të Komunës së Skënderajt, që kishin paraparë të rrënonin këtë objekt. Policia ka arrestuar katër persona, prej tyre Sami Tahirajn e Ramiz Kamerin dhe dy të afërm të pronarit të një lokali, Jeton Nuredini. Por kjo nuk ka mjaftuar që objekti të rrënohej.