Banorët Haxhajt të Gjilanit me peticion kërkojnë objekt të ri shkollor

Gjilan, 21 Shtator - Banorët e fshatit Haxhaj kanë nënshkruar një peticion, me të cilin kanë kërkuar nga Komuna ndërtimin e një objekti të ri shkollor për afro 100 nxënës. Objekti ekzistues i shkollës «Agim Ramadani» është dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2004.




Ata kanë deklaruar se komisionet teknike të ekspertëve kanë vlerësuar se kjo shkollë vë në rrezik fëmijët, pasi gjendja infrastrukturore është mjaft e dëmtuar, shkruan sot Koha Ditore.

Rexhep Dauti ka bërë të ditur se në Shkollën Fillore në Haxhaj gravitojnë edhe një pjesë e nxënësve nga fshatrat Selishtë, Demiraj dhe Goden. Me peticion banorët kanë alarmuar për rrezikun që çdo ditë u kanoset fëmijëve të tyre.

«Ne banorët e këtyre fshatrave me anë të një peticioni, i cili është nënshkruar edhe nga prindërit, kërkojmë urgjentisht të merren të gjitha masat institucionale që të ndërtohet shkolla e fshatit tonë, pasi e njëjta nuk i plotëson kushtet teknike për t’u zhvilluar procesi mësimor. Ne këtë peticion përveç drejtorisë komunale të arsimit ia kemi dërguar edhe Ministrisë së Arsimit në mënyrë që të ndërmerren të gjitha masat», ka thënë ai.

Ndërsa Rrahman Agushi, drejtor i shkollës fillore «Agim Ramadani», ka thënë se gjendja në këtë shkollë është e rëndë dhe se nga Drejtoria e Arsimit kërkojnë ndërtimin e një objekti të ri.

Mirëpo autoritetet komunale në Gjilan kanë deklaruar se buxheti i pamjaftueshëm është duke pamundësuar në investimin në ndërtimin e shkollave të reja dhe se çështjen e shkollës “Agim Ramadani” e kanë ngritur edhe tek Ministria e Arsimit.