Banorët e Nakaradës së Fushë-Kosovës në hall me gurthyesin pa leje mjedisore

I kanë përskaj tymtarët e KEK-ut dhe tash thonë se u është shtuar edhe një ndotës i mjedisit afër shtëpive të tyre.




Banorët e fshatit Nakaradë të Fushë-Kosovës thonë se janë në hall nga pluhuri dhe zhurma që krijon gurthyesi i kompanisë «Nartel», që gjendet në këtë fshat, shkruan sot «Koha Ditore».

Dy komunave ua kanë shprehur shqetësimin e tyre edhe nëpërmjet një peticioni. Por, as Fushë-Kosova e as Obiliqi nuk u kanë kthyer asnjë përgjigje. Secila komuna bart përgjegjësinë te tjera, duke thënë se gjendet në territorin e komunës fqinje. Ndërkohë që banorët thonë se po i vuajnë pasojat.

Të vetmit që janë interesuar për këtë problem, janë inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, të cilët pasi kanë marrë peticionin e banorëve, kanë dalë për të shikuar rastin. Sipas tyre, operatori nuk ka pëlqim e as leje mjedisore për këtë veprimtari.

Në anën tjetër, pronari Avdi Mehmeti, ka thënë se e kanë ndalur punën e gurthyesit, ndërsa për fabrikën e betonit «Nartel betoni», ka thënë se është kompani e ndarë dhe se për të i posedon të gjitha lejet dhe licencat e nevojshme.