Banorët e akuzojnë kompaninë «Bechtel-Enka» për dëme në infrastrukturë

Banorët e Babushit kërkojnë nga «Bechtel-Enka» riparimin e defekteve në infrastrukturën e dëmtuar, shkruan sot Koha Ditore.




Ata thonë se rrjeti i kanalizimit gjatë punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit nuk është rehabilituar. Banorët janë ankuar se kjo kompani gjatë punimeve në autostradë ka bërë një varg dëmesh në infrastrukturë, ndërkohë që nuk ishte kthyer mbrapa për t’i riparuar ato.

Idriz Sopa, përfaqësues i fshatit Babush të Lipjanit, është ankuar se ujërat e zeza kanë kaluar mbi sipërfaqe dhe askush nuk po intervenon për eliminimin e defekteve të rrjetit.

Ai shpjegon se kundërmimi nga ujërat e zeza po e vështirëson jetesën e banorëve, madje, sipas tij, te disa familje ujërat e zeza ua kanë përfshirë edhe oborret e shtëpive.