Banorët e 30 shtëpive të Drenasit në hall me fqinjin e tyre

Banorët e rreth tridhjetë shtëpive në lagjen Demaj të Drenasit kanë ra në hall me fqinjin e tyre, Zeqir Duraku, pasi ky i fundit ua ka bllokuar hyrjen përgjatë një rruge, të cilën banorët ka me vite që e shfrytëzojnë, transmeton KTV.




Duraku pretendon se toka është e tij dhe se ai ka të drejtë të bëjë çdo gjë, madje edhe duke e bllokuar rrugën. Durakut, të drejtën e pronës, ia ka njohur edhe Gjykata.

Banorët e lagjes Demaj në qytetin e Drenasit ka disa ditë me radhë që nuk mund të kalojnë përmes kësaj rruge.

Latif Demaj thotë se ka 34 vjet që banon në këtë lagje dhe, sipas tij, kjo rrugë ishte e shfrytëzueshme.

Por, një gjë e tillë tani është bërë e pamundur për ta.

Demaj dhe banorët e tjerë e akuzojnë fqinjin e tyre, Zeqir Durakun, se e ka bllokuar pa arsye këtë rrugë.

E Zeqir Duraku thotë se ai është pronar dhe se, sipas tij, ka të drejtë ta shfrytëzojë si të dojë.

Të drejtën si pronar Durakut ia ka njohur Gjykata Themelore në këtë komunë.

Ndërkohë, banorët këtë problem ia kanë adresuar edhe komunës së Drenasit.

Por, zyrtarët komunalë kanë deklaruar se komuna nuk është kompetente për këtë çështje.

«Ne me shqetësim kemi marrë lajmin për vendimin e Gjykatës Themelore në Drenas, që ka njohur si pronar familjen Duraku dhe mendojmë që është i padrejtë kundrejt 30 familjeve të tjera. Ky vendim është kundër vullnetit dhe angazhimit të komunës që në bazë të kërkesave të banorëve të asaj lagjeje, në maj të këtij viti kemi filluar edhe asfaltimin e rrugës, por për shkak të kontestit, i cili ka kaluar edhe përmes gjyqësorit, punimet janë ndërprerë, megjithatë ne nuk i komentojmë vendimet që i nxjerr gjykata dhe komuna nuk ka kompetencë për këtë çështje të ndërhyjë në procedurën gjyqësore»

Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim nga gjyqtari Skënder Zariqi, por ai nuk ka qenë i gatshëm të japë një përgjigje gjatë ditës.