Bankete banditësh

Mbi dialogun me Serbinë dhe St. Moritzin mondan, tragjedinë e policëve dhe tragjedinë e gazetarisë, festën e rrejshme për fitoren në arbitrazh rreth PTK-së gati të falimentuar nga pushteti – dhe mbi krimin e radhës të PDK-së: shitjen e fshehtë të katër hidrocentraleve një kompanie turke. A ka drejtësi në këtë vend? Dhe kur zgjohet nga gjumi ky popull?



1.
S’ka kohë për të udhëhequr dialogun me Serbinë, por ka kohë për pushime në St. Moritz. Kryeministri i Kosovës duhet ta ndërrojë emrin në «I painformuari i lodhur». Fle në parlament, bëhet gaz i dheut në intervista me media serbe, nuk tregon gatishmëri për të kryer obligimet shtetërore, për shembull: për të drejtuar negociatat me Serbinë. Kur ishte në opozitë thoshte se negociatat duhet të ndërpriten ose të drejtohen nga qeveria. Tash thotë se më mirë ato negociata t’i drejtojë presidenti i vendit. Në të vërtetë arsyeja përse kryeministri nuk dëshiron të negociojë me Serbinë është kjo: frikësohet se Beogradi me ndihmën e BE-së do ta refuzojë si bashkëbisedues. Por, edhe një motiv tjetër luan rol: t’ia lëmë këmbët e arushës në dorë presidentit. Kështu nuk mendon vetëm kryeministri, por edhe një parti opozitare, e cila e ka zgjedhur këtë president. Dhe presidenti nuk përton fare për të drejtuar dialogun, siç e ka drejtuar deri më tani, duke e shtyrë Serbinë drejt BE-së dhe duke e fundosur Kosovën drejt humnerës. Me rëndësi që cinikët e Brukselit e shohin si faktor stabiliteti.

2.
Një tragjedi e dy policëve i shndërroi jo pak të ashtuquajtur gazetarë në zhytës – u zhytën thellë në moçal në kërkim të lajmeve dhe nga aty dolën dhjetëra «lajme» që do të hyjnë në histori si tallje me viktimat dhe familjet e tyre. Nuk është aspak befasi që profesioni i gazetarit në Kosovë dalëngadalë po rangohet aty diku te këpucëtari ose nallbani sa i përket rejtingut publik. Ky është një zhvillim pozitiv për politikanët – sa më thellë që fundoset gazetaria, aq më lehtë regjimi i plason rrenat e veta. Lajmi i keq është se nga gazetaria e dobët, kriminale, nga gazetaria e moçaleve lëngon tërë shoqëria dhe zbehet aftësia e saj për mendësi kritike. Një shoqëri e paaftë të mendojë në mënyrë kritike – a ka dhuratë më të madhe për sundimtarët e korruptuar?

3.
Politikanë të njohur për plaçkitjen e vendit festojnë pasi Kosova fitoi në arbitrazh kundër një firme gjermane që synonte të privatizonte PTK-në. Ata që festojnë në të vërtetë do të duhej qëmoti të ishin në burg për shkak se e kanë shndërruar PTK-në nga një ndërmarrje profitabile publike në firmë private, ku kanë shtrirë rrjetin e gjerë nepotist, ku marrin rroga të majme, ku anëtarët e bordeve marrin rolin e banditëve, ku të gjithë pushtetarët e ngjyejnë nga pak dhe nga shumë kafshatën që ia vjedhin popullit. Fitorja në arbitrazh nuk është kurrfarë fitoreje. Opinioni i Kosovës do të duhej të kërkonte që të ndiqen penalisht ata që e organizuan aq keq privatizimin, saqë u desh të shkojë në arbitrazh. Në aferën e pasaportave Kosova ka humbur në arbitrazh dhe ka qenë e detyruar t’ia paguajë afër 5 milionë euro një kompanie austriake. Përse gati çdo privatizim në Kosovë përfundon ose në arbitrazh, ose me «vetëvrasje» të shefit të Agjencisë së Privatizimit, ose me kërcënime e «selame» nga «komandantët», ose me kurdisje privatizimesh dhe krime të ngjashme?

4.
Një kompani turke e ka blerë rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike të Kosovës për një çmim qesharak. Me rëndësi është se firma i përket edhe familjes Erdoan, me të cilin presidenti i Kosovës mban një raport pothuaj intim sa i përket besueshmërisë. Tani, përfundimisht, është kuptuar se pushteti «ynë» ose më mirë të themi pushtuesi ynë i ri nuk ia paskësh shitur firmës turke vetëm rrjetin energjetik, por edhe katër hidrocentrale. Fshehurazi. Ilegalisht. Këta banditë shesin jo vetëm fabrikat e telat e rrymës, por edhe ujin dhe tokën e Kosovës. Sepse janë të sigurt se askush nuk i pengon. Sepse e dinë se kjo shoqëri ka rënë në apati të thellë. Në kllapi të rëndë. Sepse shpresojnë se drejtësia të cilën e kontrollojnë në masë të madhe në fund do të marrë vendim të lehtë për ta, ndoshta edhe shfajësues. Kështu vjedhësit me vulë gjykate do të na dalin edhe të pafajshëm.

Në vitin 2012 njëri nga keqbërësit më të mëdhenj të Kosovës që nga koha e pushtuesve serbë, një kuadër i PDK-së, tha: «Investimet të cilat janë paraparë në këtë kontratë janë 300 milionë euro dhe po ju them, sepse shumë shpesh po bëhen krahasime edhe me Shqipërinë, edhe me Maqedoninë. Ju lutem, hyni dhe analizojeni strukturën e investimeve në këto dy shtete dhe obligimet që i kanë marrë ato. Në strukturën e transaksionit në Maqedoni, përveç që është shitur një pjesë e borxheve të vjetra, është shitur edhe aseti i një hidrocentrali prej 40 megavatesh. Pra, nuk është shitur vetëm distribucioni, por është shitur edhe gjenerimi në këtë koncept. E kjo nuk ka ndodhur në Kosovë».

Paska ndodhur edhe kjo në Kosovë, por ministri i PDK-së, i dyshuari për hajni më 2012 e mashtroi popullin, jo për herë të parë. Mediat e kryen punën e tyre, e denoncuan shitjen në fshehtësi të katër hidrocentraleve, por prokuroria fjeti dy vjet. Tani ka nisur hetimet. Nga përvoja e deritanishme me drejtësinë kosovare nuk duhet pritur ndonjë veprim të pamëshirshëm ndaj partisë së krimit të organizuar, korrupsionit dhe marrëveshjeve «historike» me Ivica Daçiqin, Aleksander Vuçiqin dhe ndonjë teze injorante të Brukselit. Ndërkohë banditët e pushtetit do të vazhdojnë të organizojnë bankete. Është pranverë dhe banketet mund të organizohen edhe jashtë, në natyrën e qetë, në gjelbërim.