Bankat zvicerane e dyfishojnë fitimin

Më 2015 ishte tkurrur numri i bankave në Zvicër, mirëpo shumica e tyre janë profitabile. Megjithë kamatat e ulëta, bankat edhe në rrafshin e interesave kanë mundur t’i rrisin fitimet.

Banka Kombëtare e Zvicrës, Bernë. Foto: Natali Glado / Shutterstock.com

Më 2015, në Zvicër ishin të lajmëruara 266 institute bankare, i transmeton të dhënat e Bankës Kombëtare Zvicerane Tages Anzeiger. Një vit më parë, sipas të njëtit burim, ishin 275 institute bankare. Ndërkaq para 20 vitesh, më 1996, Bankës Kombëtare bilancin e tyre vjetor ia kishin dorëzuar 400 banka në Zvicër.

Tani, nga 266 bankat e ngelura, shumica absolute e tyre vitin e kaluar kanë regjistruar fitim. Vetëm 38 prej tyre janë në humbje, thotë raporti i Bankës Kombëtare «Bankat në Zvicër», në edicionin e tij të njëqindtë.

Shuma e fitimeve dhe humbjeve e të gjitha bankave shkon në 15,8 miliardë franga. Dhe kjo është mëse dyfishi i asaj të një viti më parë, me ç’rast rezultuan vetëm 7,4 miliardë franga. Ky bilanc, sipas raportit, lidhet kryesisht me fitimet jashtëzakonisht të larta të bankave të mëdha.

Po ta shohësh më nga afër këtë performacë të bankave del që biznesi i brendshëm ka fituar në rëndësi në krahasim me atë të jashtmin. Për më tepër, pavarësisht kamatave jashtëzakonisht të ulëta, ato edhe në fushën e interesave kanë dalë më mirë se më 2014. Dhe kjo lidhet me faktin që investimet në kamata kanë qenë më të ulëta se fitimet në kamata. Më pak bankat kanë fituar me të ashtuquajturin biznes të komisionit dhe atë të shërbimeve.

Banka Kombëtare po zhvillon një fushatë informimi. Ajo së fundmi ka njoftuar lansimin e një aplikacioni. Me statistikën bankare ajo ofron një material të dhënash, të cilat mund të thirren në data.snb.ch. ks