Banimi në afërsi të autostradës e rrit rrezikun e kancerit te fëmijët

Rreziku i prekjes nga leokemia është më i madh tek fëmijët që banojnë në afërsi të autostradës, se sa tek ata që rriten më larg nga aty. Kështu sugjeron një studim shkencor.

Foto: Shchipkova Elena / Shutterstock.com



200 fëmijë dhe minorenë ndër 16 vjeç preken në vit nga kanceri në Zvicër. Pas aksidenteve, kjo është shkaktari më i shpeshtë i vdekjeve për këtë grupmoshë. Përveç predispozitave gjenetike për këtë sëmundje ka edhe disa faktorë ambientalë. Dyshohen gazrat e veturave, të cilat përmbajnë benzol dhe të tjera materje që e nxisin kancerin. Një hulumtim i ca shkencëtarëve zviceranë të Institutit të Mjekësisë Sociale dhe Parandaluese në Bernë, rezultatet e të cilit i kanë publikuar «European Journal of Epidemiology», i sforcon këto dyshime. Ata e kanë hulumtuar intensitetin e prekjes nga sëmundje të kancerit te fëmijët që banojnë në largësi prej 100, 250, 250-500 dhe mbi 500 metra nga autostrada më e afërt. Edhe atë në harkun kohor nga 1985-sa deri në 2008-tën.

Shkencëtarët janë bazuar në Regjistrin Zviceran të Fëmijëve Kancerozë dhe në Trupin Kombëtar Zviceran, i cili i përfshinë të gjithë fëmijët e regjistruar në numërimin e popullatës të vitit 1990 dhe 2000. Gjithsejt – mbi dy milionë. Mbi bazën e këtyre të dhënave, përmes dy metodave hulumtuese, shkencëtarët e kanë krahasuar intensitetin e paraqitjes së leokemisë në kategoritë e ndryshme të largësisë nga autostrada. Me metodën e parë janë numëruar vetëm rastet të cilat janë regjistruar në kohën e dy numërimeve të popullsisë, me metodën e dytë – diçka më pak precize – shkencëtarët janë orientuar në një hark kohor më të gjërë. Metoda e parë ka treguar gjithsejt 1’783, kurse e dyta 4’263 raste kanceri.

Rezultatet janë të ngjashme në të dyja rastet. Te fëmijtë e kategorisë që banojnë ndër 100 metra larg autostradës është gjetur një rrezikshmëri prej 47, përkatësisht 57 për qind – varësisht nga metoda – për t’u prekur nga leokemia në krahasim me ata që banojnë më larg se një gjysëm kilometri nga autostrada më e afërt. Realisht në harkun e vrojtuar kohor, nga leokemia janë sëmurur 30 fëmijë; por bazuar në numrin e viteve të personave, kjo i bie një kuotë e leokemisë prej 7,2 rastesh për 100’000 vite njerëzish në krahasim me 4,5 raste në 100’000 vite njerëzish te fëmijët që banojnë në një largësi prej mbi 500 metra largësi nga autostrada më e afërt. Ky dallim, pavarësisht numrit të ulët të rasteve, është statistikisht sinjifikant. I transmeton kështu «20 minuten» shkencëtarët e Bernës.

Janë studiuar fëmijë dhe të rinj nga mosha 0 deri 15 vjeç. Por, rritja e rrezikshmërisë ka mundur të vërehej vetëm në grupmoshën nga 0 deri 4 vjeç. Tek më të moshuarit nuk është konstatuar ndonjë ndryshim ndërmjet kategorive të largësisë së banimit nga autostrada.

Sa u përket llojeve të tjera të kancerit, siç janë tumoret në tru dhe limfomat, shkencëtarët nuk kanë gjetur sinjale të qarta për një rrezishmëri më të lartë. Faktin që është gjetur një rrezishmëri më e lartë e leokemisë varësisht prej largësisë së banimit nga autostrada, shkencëtarët e intrepretojnë si një indikacion që benzoli paraqet një shkaktar të mundshëm të sëmundjes. Është e njohur që një ngarkim i lartë me bezol në vendin e punës mund të shkaktojë leokemi te të rriturit. ks