Ballkanit po i prishen ëndrrat për BE-në

Rajonit që ende është entuziast për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian po i has sharra në gozhdë, shkruan revista e famshme britanike Economist.

Perëndimi i diellit në Prishtinë. Foto: Shutterstock

Për të gjithë euroskeptikët që viteve të fundit janë përhapur gjithandej kontinentit, është një rajon ku shumica e njerëzve ende digjen për Bashkimin Europian: Ballkani Perëndimor. Prej Sarajevës deri në Shkup, të gjitha qeveritë e rajonit duan të anëtarësohen në bllok. Madje edhe serbët, të cilët ishin të pakënaqur me rolin e shteteve europiane në luftërat e ish-Jugosllavisë në vitet nëntëdhjetë, tani duan të bëhen pjesë e klubit: anketat kanë treguar se shumica e serbëve do të votonin për anëtarësim, megjithëse mbështetja viteve të fundit ka shënuar rënie.

Por megjithëse Ballkani mund të jetë i uritur për anëtarësim në BE, pala tjetër mund të mos e ketë të njëjtën qasje. Rajoni ka dalë «prej radarit dhe është lënë pas dore», shpreh shqetësimin e saj, Tanja Mishqeviq, kryenegociatore për anëtarësim e Serbisë. Brukseli nuk e ka në plan Ballkanin. Dhe pavarësisht prej rezultatit të Brexitit të Britanisë, tensionet që janë ngritur prej kësaj çështjeje mund ta frenojnë politikën e zgjerimit të BE-së.

Shumica e shteteve të Ballkanit që dëshirojnë të jenë pjesë e klubit ia kanë dalë goxha mirë t’i përmbushin kriteret e përcaktuara. Zyrtarët në Bruksel theksojnë përparimin që kanë shënuar Serbia, Mali i Zi, Kosova, Bosnja e Shqipëria. (Maqedonia po shënon kthim prapa.) Gota është «më shumë se gjysmë e mbushur», thekson një zyrtar i BE-së. Sidoqoftë, zyrtarët e shteteve anëtare po tregohen gjithnjë e më skeptikë për pranimin e shteteve të Ballkanit. Qeveria holandeze është alarmuar prej votuesve që refuzuan në prill marrëveshjen e asociimit të BE-së me Ukrainën. Por çka nëse të gjitha shtetet kandidate i plotësojnë kriteret dhe mbesin peng vetëm pse një shtet vendos me referendum se nuk mund të ketë zgjerim?

Njëherësh, thekson Mishqeviq, BE-ja po e humb kredibilitetin e saj në rajon. Maqedonia është në krizë të thellë politike për më shumë se një vit; një marrëveshje e ndërmjetësuar prej Misionit të BE-së në vend ka hasur në qorrsokak, dhe Gjermania e zemëruar po e dërgon emisarin e saj në përpjekje për t’ia gjetur fillin fijes së lëmshit politik. Qeveria e Kosovës është munduar të kufizojë kompetencat e policisë dhe të drejtësisë së Misionit të BE-së. Në Serbi, mediumet proqeveritare kanë akuzuar BE-në se qëndron prapa protestave antiqeveritare. Aleksandar Vuçiq, kryeministri që para zgjedhjeve dihej se do të vazhdonte punën në këtë post, thekson se Serbia synon anëtarësimin në BE, por raportet me Brukselin kanë pësuar njëfarë krisje.

Shteti që ka shënuar më së shumti përparim në rrugën e anëtarësimit është Mali i Zi. Sipas Daliborka Uljareviq, aktiviste e shoqërisë civile, procesi i integrimit në BE është motori më i fuqishëm i reformave në rajon. Por ajo shton se megjithëse vendi ka bërë ndryshime të theksuara në infrastrukturën ligjore për t’i përmbushur kërkesat e BE-së, nuk po i zbaton ato me përpikëri: «Kurrkah nuk jemi kur vjen puna te sundimi i ligjit». Kjo vlen në nivele të ndryshme në tërë rajonin.

Përkundër telasheve, integrimi në BE ka ndikuar më shumë për të mirë. Disa ndryshime janë diplomatike: marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën, që shpalli pavarësinë prej Serbisë më 2008, janë transformuar prej bisedimeve të prira prej BE-së, megjithëse shumë prej marrëveshjeve të arritura ende nuk po zbatohen. Të tjera telashe dalin lidhur me mënyrën e qeverisjes. Në Mal të Zi është dënuar për korrupsion një prej figurave më të fuqishme të vendit pas gjykimit në qytetin e tij të lindjes, në Budvë: bashkë me të ishin arrestuar edhe shumë bashkëpunëtorë të tij. Këto mund të kenë qenë arrestime sa për sy e faqe që para zyrtarëve të BE-së të krijohet përshtypja se vendi e ka seriozisht kur po thotë se po lufton korrupsionin. Por mund të ndodh se ndryshimet e vërteta kanë nisur të rrënjosen.

E qartë është se shtetet e Ballkanit Perëndimor, enklavë e rrethuar prej BE-së, kanë nevojë për miq. Nëse BE-ja është shumë e shqetësuar me hallet e veta që t’i pranojë, Rusia po pret me një këmbë. Serbia po negocion një marrëveshje tregtare me Unionin Ekonomik Euroaziatik të dominuar nga Rusia. Në një vizitë të planifikuar në Serbi, kryeministri rus, Dmitri Medvedev, do të diskutojë zgjerimin e qendrës emergjente humanitare të themeluar me fondet ruse për të përfshirë edhe një aeroport të lënë pas dore në veri të vendit.

Zyrtarët perëndimorë druajnë se Rusia më shumë po synon t’ua fusë flakën maleve se sa të krijojë bazë ushtarake ajrore. Nëse procesi i zgjerimit të BE-së mbetet vetëm fjalë, të tjerët do të hidhen që të mbulojnë këtë boshllëk politik e ekonomik në dëm të Evropës.