Ballkanit i kanoset përsëri lufta

Urrejtja nacionaliste po rindez konflikte të vjetra. Një tren në drejtim të Kosovës çoi për pak në katastrofë.

Djetor 2016. Foto: Golden Brown / Shutterstock



Gjendja politike e Evropës është mëse e diskutueshme. Dalja e Britanisë së Madhe nga shtëpia e përbashkët e Unionit Evropian, riorientimi populist djathtas, nëse jo nacionalist në shumë shtete, kursi agresiv i Rusisë dhe mbase edhe një luftë tregtare me SHBA-të e gërryejnë idilën e dikurshme të një «ishulli të të lumëve» në mes të një bote të konflikteve.

Ajo çfarë Evropa nuk mund të t’ia lejojë aspak vetes është shpërthimi i një lufte të ndezur nga urrejtja nacionaliste. Por mu kjo i kanoset Ballkanit, pra atje ku më 1914 shpërtheu Lufta e Parë, stërkatastrofa e Evropës.

Në territorin e ish Jugosllavisë digjen së brendshmi disa konflikte njëherësh. Në Maqedoni, për shembull, ku më 2015 erdhni në trazira të përgjakshme dhe luftime ndërmjet pjesëtarëve të pakicës shqiptare dhe forcave maqedonase të sigurisë dhe ku vetëm në qytetin e Kumanovës humbën jetën 22 njerëz. Nga Shqipëria dhe Kosova erdhën kërcënime të zymta, sipas të cilave, nxitja e një konflikti për Maqedoninë mund të ishte «shkatërrimtar». Maqedonia llogaritet si një fuçi baroti politike.

Dhe, në Kosovën e banuar me shumicë shqiptare gjendja është acaruar deri në atë masë, sa që ish këshilltari i kancelares Angela Merkel (CDU) dhe drejtori i tanishëm i Qendrës për Studime të Aplikuara Konflikti në Mynih, Werner Weidenfeld, në «Fokus» paralajmëroi se në Ballkan shumë shpejt mund të shpërthente një luftë e re. Ka një «potencial të lartë konfliktuoz». Vërtet Serbia dëshironte të integrohet në UE dhe me diplomatët e UE-së flet gjithnjë miqësisht kur është fjala për integrimin. Por UE-ja nuk po e kupton që ky ‹bonton› mund të kalojë papritur në agresion të pastër, kur është fjala për Kosovën. Unioni Evropian duhet të shfaqet shumë më i vendosur kundër serbëve, kërkon Weidenfeld.

Më 1999, Nato e detyroi përmes sulmesh ajrore – pa pandat të OKB-së – armatën jugosllave të tërhiqet nga Kosova, ku serbët ishin shkrehur brutalisht kundër shqiptarëve dhe ushtria guerile kosovare UÇK rezistonte me sulme kundër serbëve. Më 2008, Kosova u shkëput njëanshmërisht nga Serbia. Serbia këtë nuk dëshiron as ta njohë, as ta pranojë. Kosova, mejdani i betejës së humbur kundër Perandorisë Osmane në vitin 1389, për serbët paraqet një territor të shenjtë historik, nga i cili ajo u përzu atëbotë.

Shkëndija e krizës së eskaluar së fundmi ishte masa e qeverisë serbe të kryeministrit Aleksandër Vuçiç, që pas 20 vjetësh të fillonte përsëri trafiku me tren në Kosovë. Ajo që do të mund të ishte një vepër konstruktive, ishte në fakt një ofensivë e pastërt propagandistike – dhe një provokim për shqiptarët, i cili gati çoi në luftë. Serbët donin të nisnin një tren për në Mitrovicën e banuar para së gjithash nga serbët në veri të Kosovës, në të cilin në 21 gjuhë, ndër të tjera edhe në shqip, qëndronte: «Kosova është Serbi.»

Një njesit forcash speciale kosovare qëndronte gati për ta zaptuar trenin. Kryetari i serbisë Tomisllav Nikoliç pas kësaj u kërcënua me përdorimin e ushtrisë. Kryeministri Vuçiç lëshoi një «paralajmërim të fundit» për shqiptarët, por e tërhoqi bukvalisht frenin, duke e ndaluar trenin në Rashkë, në vendin e fundit kufitar serb.

Sikurse në Maqedoni, as qeverisë në Serbi nuk po i ecën ta ngrisë ekonominë. Po lulëzojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Shumë njerëz qëndrojnë keq; për më tepër, ata janë të zhgënjyer nga UE-ja, e cila pavarësisht derdhjes së shumë parave dhe misionit më të madh të jashtëm të UE-së, Eulex, nuk po ia del ta kalojë urrejtjen dhe pamundësojë shpërthimet e dhunës.

Në Ballkan po bie ora e agjitatorëve nacionalistë. Sidomos rinia e paperspektivë po orientohet nga autoritete, idhuj të supozuar të fortë. Dhe, në sfond penjtë i tërheq aleati i vjetër i Serbisë, Rusia, së cilës i leverdis kursi destabilizues i Beogradit.

(Hamburger Abendblatt) ks