Ballkani përsëri po vlon – Washingtoni nuk shihet askund

Opinion i senatorit amerikan John McCain në Washington Post: Duhet të jemi të përgatitur për të mbajtur fjalën përsëri në Europën Juglindore, sepse leksionet e historisë janë të qarta kristal: po e injorojmë këtë rajon me rrezikun që na kanoset edhe neve.

John McCain



Ndërsa po udhëtoja gjatë këtij muaji nëpër Europën Juglindore, u ndala edhe në Sarajevë. Qëndrova te këmbët e Urës Latine, në qoshen e rrugës që ndryshoi botën, ku plumbi i një vrasësi ia mori jetën Dukës Franz Ferdinand dhe shkaktoi një cikël dhune dhe luftë në gjysmën e parë të shekullit njëzetë, duke e zhytur Europën Juglindore përsëri në luftë në dekadën e fundit të po atij shekulli.

Ishte një shenjë e errët kujtimi e kërdisë së dikurshme se nëse historia nuk përsëritet, tingëllon ngjashëm. Europa Juglindore, rajon që shtrihet në udhëkryq të historisë, edhe njëherë po përballet me sfida në rritje. Dhe Shtetet e Bashkuara duhet t’i hapin sytë më fort nga ky rajon.

Rritja ekonomike në shumicën e rajonit nuk ka qenë e mjaftueshme për t’u ofruar të rinjve mundësi për të realizuar ëndrrat e tyre në vendlindje. Ndërmarrjet e lodhura shtetërore, rregullat e këqija dhe korrupsioni i përhapur me të madhe shpesh janë bërë pengesë për realizimin e mundësive të pashfrytëzuara ekonomike të rajonit.

Kriza e refugjatëve ka ngarkuar edhe më shumë barrët e shteteve në këtë pjesë të Europës dhe ka nxitur konteste të sigurisë kombëtare ndërmjet shteteve.

Janë në rritje tensionet politike. Maqedonia është në kulmin e krizës politike. Partia opozitare e Shqipërisë po bojkoton parlamentin prej shkurtit. Paqartësi të mëdha ka për të ardhmen e Bosnjë-Hercegovinës. Provokimet e fundit kanë rritur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e rrezikuar përparimin e shënuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Trashëgimia për të ardhur keq e konfliktit etnik dhe fetar, shkalla e lartë e papunësisë në mesin e të rinjve dhe faktorë të tjerë e bëjnë Europën Juglindore arenë potenciale për kërcënim nga terrorizmi. Qindra luftëtarë nga ky rajon kanë shkuar viteve të fundit për të luftuar për «Shtetin Islamik në Siri dhe Irak». Vetëm vjet, 19 të dyshuar u arrestuan në Kosovë në një komplot të ISIS-it që synonte të sulmonte ekipin e kombëtares izraelite të futbollit në ndeshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit. Dhe ndërsa ISIS-i po përballet me disfata të pashmangshme në Mosul dhe Raka, terroristët tashmë po largohen me urdhra për të sulmuar caqet perëndimore, potencialisht edhe disa sosh në Europën Juglindore.

Mbase më shqetësuesja prej të gjithave është përpjekja intensifikuese ruse për të ndikuar negativisht në rajon dhe për t’ua pamundësuar shteteve të rajonit të zgjedhin vetë të ardhmen e tyre. Shembulli më i dramatik i tillë ishte përpjekja për grusht shtet me mbështetje ruse në Malin e Zi në tetor. Me qëllim të ndaljes së procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, agjentët e inteligjencës ruse u munduan ta rrëzonin qeverinë dhe ta vrisnin kryeministrin e vendit në ditën e zgjedhjeve. Ma merr mendja se kur të kuptohet qëllimi i vërtetë i përpjekjes ruse në Mal të Zi, do të demonstrohet se Vladimir Putini do të bëjë çmos për ta arritur qëllimin e tij për ta ringjallur Perandorinë Ruse.

Duke i pasur parasysh këto sfida, nuk është për t’u habitur se në secilin qoshe që u ndala, dëgjova të njëjtat thirrje për rikthimin e lidershipit amerikan në rajon. Shtetet e këtij rajoni janë të gatshme dhe të vullnetshme për t’u konfrontuar me këto sfida. Por nuk mund t’ia dalin të vetmuara në krye. Dhe ato kanë zgjedhur për partnere SHBA-në. Po çfarë mund të bëjmë ne?

Së pari, Shtetet e Bashkuara duhet të ngrenë kokën për të parë. Siç më tha kryeministri i një shteti të Europës Juglindore, në asnjë rajon tjetër të botës nuk dëgjohen dhe nuk kanë peshë fjalët amerikane me mundësi të hatashme zbatimi drejt përparimit se në këtë rajon. Andaj duhet angazhim dhe vizita më të shpeshta në rajon prej zyrtarëve të lartë amerikanë, sepse janë shumë të rëndësishme.

Së dyti, Shtetet e Bashkuara duhet ta ruajnë përkrahjen për shtetet e Europës Juglindore me qëllim të vazhdimit të integrimit në bashkësinë euroatlantike nëpërmjet institucioneve të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Ky proces integrues ofron shpresë të madhe për paqe dhe prosperitet në rajon. Kjo nënkupton se SHBA-ja duhet të ruajë përkrahjen e fuqishme për programet amerikane që ndihmojnë fuqizimin e sundimit të ligjit dhe përkrahin luftën kundër korrupsionit, hapa kyç në rrugën e integrimit euroatlantik. Ne gjithashtu duhet ta trimërojmë BE-në pavarësisht sfidave të saj, të vazhdojë t’i mbajë hapur dyert për shtetet e Europës Juglindore që ende besojnë se do të anëtarësohen.

Në fund, Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë në krah të secilit shtet në Europën Juglindore që me të drejtën e vet vendos të zgjedh të ardhmen pa iu përzier askush nga jashtë, qoftë Rusia agresive që kërkon ndryshimin e kufijve të Europës nëpërmjet dhunës ose terroristëve, që për qëllim në thelb ka shkatërrimin e civilizimit tonë të përbashkët. Zgjerimi dhe bashkëpunimi i sigurisë me aleatët dhe partnerët tanë rajonalë është kyç.

Pas dy luftërash botërore, Shtetet e Bashkuara iu zotuan Europës se është e lirë, e tërë dhe paqësore. Këtë e bëmë për shkak se një gjeneratë burrështetasish e pranuan se lidershipi amerikan ishte kyç për arritjen e paqes dhe prosperitetit në Europë, që ishte dhe ende është në interes të sigurisë kombëtare amerikane. Gjatë shtatë dekadave të kaluara, kemi bërë zgjidhje dhe sakrifica për të mbajtur fjalën: përgjatë gjithë Europës gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, në Bosnjë dhe në Kosovë në vitet nëntëdhjetë, dhe sot në shtetet e krahut lindor të NATO-s. Duhet të jemi të përgatitur për të mbajtur fjalën përsëri në Europën Juglindore, sepse leksionet e historisë janë të qarta kristal: po e injorojmë këtë rajon me rrezikun që na kanoset edhe neve.

Copyright për botimin në gjuhën shqipe: Dialogplus. Ndalohet robotimi nga mediat tjera.