Ballkani

Foto: Shutterstock



Gadishulli im,
Prometeu im!

Ti që u vodhe zjarrin perëndive
e botën le pa mend,
prej mijëra vjetësh
përpëlitesh
digjesh
në zjarrin tënd.

Krahu i njërit në mëngën e tjetrit,
këmba e malit në fytin e fushës,
ndarë të gjallët nga të vdekurit,
mëria e vjetër pjell këlysh si bushtër.

As fshatarit pa shkollë s’i ngjan,
atij fshatarit që sa gdhinte dita
pyeste të birin:
pa shih,
a del tym nga oxhaku i fqinjit?

Plak gërnjar,
djalosh që s’di ku t’i derdhësh fuqitë,
ç’pandehe, se koha është zbutëse,
i shtron,
i bën qengj perënditë?

Herë-herë
Mbi ballin tragjik vetëtin një thinjë mençurie;
e bën një Fushë Kosovë,
një Vllahi, një Misolongj
a një epos antifashist;
nëpër netët e tua homerike
gjen një nyje lidhëse,
shpatat i bashkon.
Pastaj, djallo o punë,
të merr malli për sherr e për dhunë,
nxjerr shpatat,
humnerat thellon.

Gadishulli im,
Prometeu im!

Me zjarrminë e kokës avullove Danubin,
me zjarrminë e këmbëve thave Detin Mesdhe.
Për të dalë prej absurdit,
urrejtjet çnjerëzore
urre!

1988