Ballkan: Vatrat që mund të shpërthejnë

Kërcënimi i kaosit rri varur mbi vendet e ish-Jugosllavisë, në rajon lulëzon paqëndrueshmëria dhe tensioni i ndërsjellë, e gjitha në dobi të Putinit, shkruan gazeta kroate «Jutarnjni list».

Foto: Shutterstock

Europa Juglindore përsëri po vlon. Ballkani sërish e justifikon deklaratën e Bismarckut se është fuçi baroti. Pasionet në republikat e dikurshme jugosllave përsëri kanë vluar, ndërsa disa analistë ogurzi thonë se procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë ende nuk ka përfunduar. Shumëçka ka ndryshuar që atëherë, por, për fat të keq, një pjesë e problemit të atëhershëm ka mbetur i njëjtë.

Dy ish-republikat jugosllave, Sllovenia dhe Kroacia, kanë hyrë në NATO dhe në BE, dhe kështu, sidomos e para, i janë shmangur një faze të re të trazirave ballkanike. Por, të tjerat që ende janë jashtë kuadrit të proceseve euroatlantike – Serbia, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia – pasqyrojnë paqëndrueshmërinë dhe tensionet reciproke, në të cilat është e përfshirë edhe Kroacia.

Praktikisht asnjëra nga ish-republikat jugosllave nuk ka marrëdhënie të mira me të gjitha pasardhëset tjera të RSFJ-së së dikurshme, dhe përkrah kësaj shumë prej tyre i tronditin problemet e brendshme, të cilat nxitin paqëndrueshmëri permanente, dhe madje edhe më keq («për fat», fuqia ekonomike, sociale, madje edhe shoqërore e këtyre vendeve është shumë e dobët për një përfundim të përgjakshëm, por…). Kjo sidomos vlen për Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë, por edhe për Malin e Zi.

Në këtë hapësirë ​​tepër të nxehtë, si gjithmonë, në mënyrë ciklike, përsëri përthyhen interesat e fuqive botërore. Në fakt, vetëm në tokën e ish-Jugosllavisë aktualisht është një «hapësirë e lirë», e cila nuk është e lidhur në ndonjë formë të integrimit, prandaj Rusia, praktikisht e shtyrë nga Europa, ende mund të përfitojë diçka dhe të fluturojë në atë hapësirë të paplotësuar.

Interesi rus në Ballkan është dëshmuar me politikë të hapur dhe, me sa duket, me ndihmën financiare opozitës antieuropiane në zgjedhjet e javës së kaluar në Mal të Zi, referendumit antikushtetues të Dodikut dhe me ndikimin në skenën politike të Serbisë dhe të Maqedonisë.
Ideja e presidentes kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq për federalizimin e Bosnjë-Hercegovinës është ende në fillimet e saj, por për këtë iniciativë do të flitet shumë më tepër kur të formohet Qeveria e re. «Në çdo rast, kjo është rruga e drejtë, por shtrohet pyetja se si do ta pranojnë këtë serbët dhe boshnjakët. Para së gjithash, pyetja më e rëndësishme është nëse duan ta bëjnë federalizimin e vendit», thotë burimi ynë nga diplomacia kroate.

«Federalizimi i Bosnjë-Hercegovinës do të përfshinte ndryshimin e detyrueshëm të Kushtetutës aktuale, e për këtë kërkohet konsensusi i të tre popujve. Është fjala për një procedurë të vështirë, ndërsa është plotësisht e qartë se serbët duan ta ruajnë Republikën Serbe, kurse boshnjakët dominimin në Federatë. A do të pranojnë të dyja palët të heqin dorë nga kjo, është vështirë të parashikohet», thotë bashkëbiseduesi ynë.

Diplomatët kroatë presin që iniciativa e presidentes Grabar-Kitaroviq shumë shpejt do të harmonizohet me Qeverinë e re dhe vetëm atëherë gjithçka do të jetë shumë më e qartë.
«Duke përfshirë këtë, a do të ketë ndryshime të propozuara vetëm në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, apo në gjithë vendin? Dhe atëherë me siguri do të pasojë nga një përgjigje më e qartë e serbëve dhe boshnjakëve në këtë iniciativë. Gjithë e më shumë, selia e presidentes në Pantovçak pa dyshim do të konsultohet për hapat me selinë e qeverisë në Zrinjevac».

SERBIA
Nikoliq kah Moska, e Vuçiqi megjithatë kah Bashkimi Europian

Republika e dikurshme më e madhe jugosllave në dukje është e sigurt dhe e qëndrueshme. Kryeministri Aleksandër Vuçiq është sundimtar i padiskutueshëm dhe i pakontestueshëm i Serbisë, si Tugjmani dikur në Kroaci. Qëllimi i tij strategjik është lidhja me klubin e Brukselit, por aktualisht shkon si në atë shakanë e vjetër – jep shenjë në drejtim të BE-së, e kthehet kah Moska. Procesi i negociatave me BE-në është duke ecur, por jo në mënyrë spektakulare. Data e hyrjes nuk dihet, por mbi kokën e Vuçiqit qëndron fantazma e tmerrshme e Brukselit – njohja e Kosovës. Krahas kësaj, nga Moska vjen presioni se nuk duhet ta marrin parasysh as anëtarësimin në NATO – SHBA-të nuk nxitojnë, por ajo disi nënkuptohet, e Vuçiq zvarritet. Rusët në këmbim lajkatojnë që Serbia paraqet «portën ruse në Europë». Politikologu Dushan Janjiq thotë se në Serbi mbizotëron ndjenja anti-europiane, kurse në BE të menduarit anti-serb. E derisa Vuçiq luan me kartën e Europës, presidenti Tomislav Nikoliq është e vetmja dhe opozita me e fortë. Në qeverisje ai e pasqyron rrymën anti-europiane. Vuçiqi nuk dëshiron që Nikoliq të kandidojë për zgjedhjet në vitin 2017, por nga Kremlini e inkurajojnë atë. Vuçiqi vazhdimisht shtiret sikur Serbia e tij është «garantuese e paqes dhe stabilitetit në Ballkan», por marrëdhëniet e Serbisë me këto vende nuk i japin atij të drejtë. Me Kroacinë ka marrëdhënie të këqija dhe konkurruese në luftë për këtë pozitë, me Bosnjë-Hercegovinë është në marrëdhënie të tensionuara, në Mal të Zi nuk i shkoi për dore që ta rrëzojë Milo Gjukanoviqin, e me Kosovën nuk ka marrëdhënie. Me atë vend ka «probleme pronësore-juridike» praktikisht për pronësinë e vetme të atjeshme «argjendari nacionale» – Minierën «Trepça».

KOSOVA
«Trepça» dhe komunat serbe në veri

Shteti më i ri europian ka probleme të mëdha. Lëvizja «Vetëvendosje!» e Albin Kurtit, me veprimet e veta radikale, dhe me aksione të dhunshme, të tilla si duke hedhur gaz lotsjellës në Parlament dhe në Gjykatën Kushtetuese, e pengom presidentin Hashim Thaçi në përmbushjen e kushteve të Brukselit. Marrëveshja kufitare me Malin e Zi nuk është ratifikuar. Rëndohet me themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në veri të Kosovës, sepse ata frikësohen se ajo do të jetë një «Republikë Serbe» e re. Gjë që nuk është larg nga e vërteta, sepse atje ka fotografi të shumta të Vladimir Putinit. BE-ja nuk është e qartë, por edhe Vuçiq duhet të marrë diçka. Aktualisht, pyetja e parë është miniera «Trepça». Beogradi pretendon se ajo është pronë e Serbisë dhe se shteti serb zotëron 55 për qind të «Trepçës», e cila për shqiptarët ka domethënie të madhe simbolike për shkak të grevës së minatorëve në shkurt të vitit 1989. Qeveria e Kosovës e konsideron të veten «Trepçën» me asetet e saj – 80 për qind në pronësi të shtetit dhe 20 për qind aksione të punonjësve. Vuçiq nuk do ta lërë atë, prandaj në këtë çështje edhe thyhet kotësia e tij prej lideri, e ngjan se me deklarata të tilla, si «Europa nuk na kupton» dhe «Brukseli e mbështet Prishtinën», ai e përgatit publikun për një tjetër tërheqje nga beteja rreth Kosovës.

MALI I ZI
Gjukanoviq e ka ndarë vendin thellësisht

Ky vend i vogël ecën buzë greminës. Pushtetari i deritashëm, Milo Gjukanoviq, thënë fjalë për fjalë – për një fije floku dhe në kurriz të përfaqësuesve të pakicave arriti të qëndrojë në pushtet. Shumica e tij është shumë e brishtë, por anëtarësimin në NATO e ka në derë. Për shkak të mbështetjes ruse forcave proserbe dhe antieuropiane, ndoshta Brukseli, sikur edhe një pjesë promalazeze e votuesve, do të mbyllin njërin sy që të përshpejtohet procesi i negociatave. Opozita proserbe-ruse, pasi e kuptoi se nuk kanë shans për ta arritur një shumicë, vendosi për mosnjohjen e zgjedhjeve. Përmendet një numër parregullsish, vjedhjesh dhe folklor i ngjashëm zgjedhor, në të cilin hyn edhe përpjekja (e pretenduar) për grusht shteti, por kjo i ka shqetësuar vetëm kur e kanë «kuptuar» se nuk mund ta formojnë një shumicë.
Zgjedhjet me pjesëmarrjen më të lartë europiane, më shumë se 70 për qind, kanë treguar se shoqëria malazeze është ndarë rrezikshëm, ndërsa opozita nuk është larg mjeteve të dhunshme (as ana tjetër nuk është engjëll në këtë çështje), gjë që u dëshmua kur u përpoqën ta pushtojnë Kuvendin pas thirrjes për anëtarësim në NATO. Me realizimin e politikës së vet euroatlantike Mali i Zi mund të pengojë përpjekjen e Rusisë nëpërmjet opozitës.

BOSNJË-HERCEGOVINA
Republika Serbe dhe destruktiviteti i saj

Në këtë shtet të ndarë dhe të paqëndrueshëm, entiteti serb – Republika Serbe u forcua me referendumin e fundit, prandaj Milorad Dodik mund që sipas nevojës të «grimcojë» me shkëputje nga Bosnjë-Hercegovina, gjë që, pa asnjë dyshim, është qëllimi i tij përfundimtar, me ç’gjë do të regjistrohej në «histori si serbi i cili shtetin e kaloi përtej Drinës». Shqetësim shkakton edhe ideja e krijimit të entitetit kroat, që i brengos edhe kroatët jashtë Hercegovinës, sepse ata mendojnë se në këtë do të kalonin si është më së keqi dhe i sjell në pikëpyetje edhe parimet e Daytonit. Boshnjakët, megjithatë, ende vazhdojnë të luajnë kartën unitare. Zgjedhjet lokale treguan se partitë nacionale ende janë masë e vetme përcaktuese në Bonsjë. Integrimet euroatlantike janë pak a shumë të karakterit deklarativ dhe duken të largëta, me lojën konstante destruktive të Dodikut.

MAQEDONIA
Përçarja e maqedonasve dhe shqiptarëve

Ky vend, që ende është pa emër për shkak të mosmarrëveshjeve me Greqinë, praktikisht nuk funksionon për muaj të tërë. Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 11 dhjetor, por shtrohet pyetja nëse do të ofrojnë zgjidhje. Vendin e ka kapluar vala e protestave, përfshirë opsionet rivale maqedonase, ndërsa pala shqiptare «ka mendimin e vet». Rusia edhe këtu mund të gjendet në rolin kryesor, sepse dihet hapur se e mbështet «kryeministrin teknik» Nikola Gruevski dhe presidentin Gjorgje Ivanov, i cili me vendimin për amnisti për 20 mijë të dyshuar të skandalit të përgjimeve të anëtarëve të opozitës shkaktoi krizë në Maqedoni. Brukseli qëndron prapa liderit të opozitës, Zoran Zaev.