Baleti «Xhuljeta Pa Romeon» nesër premierë në TKK

«Dashuria pret përgjithmonë» është ky një mbishkrim i shkurtër që është vendosur në broshurën informuese të shfaqjes së baletit «Xhuljeta pa Romeon», premiera e së cilës pritet të shfaqet të mërkurën mbrëma në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Kjo shfaqje e baletit, e cila është ideuar nga koreografi austriak Darrel Toulon, siç raporton emisioni Express i KTV-së, do të jetë vazhdimësi e shfaqjes «Rrëfimi juaj, rrëfimi im», e cila u inskenua para dy vjetësh në Prishtinë.

Edhe kjo shfaqje, përmes lëvizjeve skenike të balerinëve, do të sjellë emocionin e rrëfimit që ka të bëjë për personat e pagjetur lufta e fundit në Kosovë.

«Kanë kaluar më shumë se dy vjet prej që unë vura një shfaqje koreografike këtu në Prishtinë. Për sa i përket shfaqjes që do të jepet nesër mbrëma, ne me ekipin kemi punuar intensivisht gjashtë javë për ta krijuar këtë vepër që në fakt nuk është Romeo dhe Xhulieta e Shekspirit, por quhet «Xhulieta pa Romeon». Puna për mua si koreograf kurrë nuk ka qenë e thjeshtë ta bëj një spektakël dhe të bëj gjëra që janë efektive, por gjithmonë kam dashur të bëj diçka që del nga zemra ime, për të ndarë një pikëvështrim për të përpiluar emocione», ka deklaruar koreografi Darrel Toulon.

http://i0.wp.com/cms.koha.net/cms/f/u/20160614151609862.jpg?w=640

Te kjo shfaqje protagonistët kryesorë janë balerinët: Teuta Krasniqi, që do të vishet nën petkun e Xhuljetës si dhe Fatmir Smani në atë të Romeos, e ku do të jenë të shoqëruar nga trupa permanente e Baletit Kombëtar të vendit.

«Xhuljeta pa Romeon», përpos që do të jetë në repertorin e TKK-së përgjatë tërë këtij viti, ajo është shfaqje që është ideuar enkas për ta përfaqësuar Kosovën në Festivalin tradicional të Baletit, i cili çdo vit mbahet në Graz të Austrisë.