Balerinët gati për versionin e ri të «Spartacus»

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës janë bërë gati që të ngjitën në skenë e të shpalosin historinë e prijësit të kryengritjes së skllevërve kundër romakëve.




Shfaqjen e baletit «Spartacus», që është e shkruar për të zgjatur tri orë, koreografi kubano-amerikan, Israel Rodriguez, e ka shkrirë në një orë, shkruan sot «Koha Ditore». Nga tri aktet e versionit origjinal ka përzgjedhur momentet që rrëfejnë krejt historinë e kryengritjes.

Të mërkurën, në konferencën për media, një ditë para premierës, Rodriguez ka thënë se «Spartacus» është njëra nga shfaqjet e tij të preferuara.

«Besoj që realizimi i kësaj shfaqjeje është një arritje e lartë e Baletit Kombëtar të Kosovës. Ka qenë e vështirë që një balet që zgjat tri orë ta sjellim në një», ka thënë Rodriguez në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku sonte (e enjte), në orën 20:00, do të jepet premiera e shfaqjes bazuar në versionin e koreografit e balerinit rus, Yury Grigorovich, që e inskenoi atë në teatrin «Bolshoi».

Ka treguar se shfaqja do të jetë një version krejt ndryshe nga ato që janë realizuar nga trupa të mëdha.

«Kam marrë pak histori nga filmi e pak nga baleti», ka shpjeguar koreografi, valltari e mësuesi i baletit, Israel Rodriguez, për shfaqjen e tij të tretë me balerinët kosovarë pas realizimit të «Don Kishotit» më 2012 e shfaqjes «Liria ime» një vit më vonë. Ka thënë se shfaqjen triaktëshe të baletit që zgjat 3 orë nuk ka qenë e lehtë ta përmblidhte e ta shkurtonte.

Gjatë krejt procesit të punës ka thënë se nuk është hasur në probleme përderisa prej fillimit të punës në ditën e 17-të të muajit të kaluar provat kanë qenë sistematike.

«Sa herë që jam këtu vërej progresin e arritur nga trupa e BKK-së», ka thënë Rodriguez, teksa ka shtuar se mendon që ka realizuar një shfaqje që do të jetë tërheqëse për publikun.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, ka kujtuar se kjo është premiera e tretë për këtë vit.

«Është një shfaqje goxha e vështirë për t’u inskenuar. Kërkon një trupë shumë të madhe me shumë rekuizita. Është një ndër shfaqjet më të mëdha që jepet në skenat botërore», ka thënë Brahimaj. Ka treguar se si institucion gjithmonë i janë frikësuar këtij projekti, por gjithmonë kanë pasur dëshirë ta inskenojnë «Spartacus».

«Bashkë me koreografin jemi dakorduar ta realizojmë shfaqjen. Është bërë një punë sistematike me kohë shumë të shkurtër. Koreografi e ka bërë një punë të mrekullueshme. Kemi përforcime nga nxënësit e shkollës së baletit, të cilët i falënderoj për punën dhe disiplinën», ka thënë ai. Me «Spartacus» në skenë do të ngjiten 35 balerinë. Balerinët Sinan Kajtazi e Sead Viniqi do të jenë në rolin e Spartacusit. Kajtazi ka thënë se trupa edhe kësaj herë është munduar të bëjë më të mirën.

«Jam shumë i lumtur që çdoherë si trupë po tregojmë më shumë kompaktësi», ka thënë ai.

E shkruar nga kompozitori Aram Khachaturian, vepra e njohur e baletit që trajton të arriturat e Spartakut – prijësit të kryengritjes së skllevërve kundër romakëve, të njohur si Lufta e Tretë e Shërbyesve – për herë të parë ishte inskenuar më 1956 në Leningrad. Në përshkrimet që i bëhen kryeveprës së baletit klasik thuhet se skenari i shfaqjes nuk u mbetet besnik në mënyrë strikte të dhënave historike. Qysh prejse është dhënë premierë, «Spartacus» është realizuar nga trupat më të njohura të baletit në botë. Në prill të vitit 2004, një version i këtij rrëfimi u realizua si projekt filmik nga regjisori Robert Dornhelm.