Balada e kovaçit




E ngrysi edhe ditën e fundit mbi hekura.

Ia morën hekurat fuqinë,

Ia mpinë.

S`i mbetën më asgjë,

Veç eshtra,

Veç gjymtyrë,

Tërë mishërat iu shkrinë.

…Dhe muzgu ra kudo e mbuloi dhenë.

Dhe natë e zezë pllakosi mëmëdhenë.

Dhe në mëngjes, kur u kthyen luftëtarët

Nga fusha e betejës,

Shpatathyer,

S`e panë gjëkundi ustanë në kovaçan!

Po gjenë te kudhra

Një grumbull shpata të kalitura,

Parzmore,

Përkrenare,

Ushta.

I tërë ai atje sikur kish mbetur.

Zbërthyer në një grumbull eshtrash hekuri,

Mbi kudhër hedhur.

Dhe ata ngadalë e qetë hoqën qeleshet

Të heshtur.