Bajrami në Amerikë merr përkrahje për përmirësimin e cilësisë në arsim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami takon zyrtarë të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Agjencionin Amerikan USAID.




Bajrami në përfundim të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar zyrtarë të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, përkatësisht, zëvendëssekretaren për çështje arsimore dhe kulturore Kelly Keinderling dhe zëvendëssekretaren e sekretarit federal të arsimit Arne Duncan, si dhe zyrtarë të lartë në Agjencionin Amerikan USAID, përkatësisht, Susan Fritz dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Ministri Bajrami mori mbështetjen e plotë dhe përkrahjen në përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së sistemit arsimor në Kosovë, përmes përkrahjes së Qeverisë Amerikane me anë të asistencës teknike dhe ekspertizës në ngritjen e standardeve të arsimit.

Ministri Bajrami shprehi mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme të Qeverisë amerikane për sektorin e arsimit, përmes dy projekteve të mëdha «Programi për Arsim Themelor» dhe «Programi për Transformim të Lidershipit» dhe njëherësh diskutuan për mundësitë dhe nevojat tjera të mbështetjes, për aspekte tjera të sektorit të arsimit.