Bajrami i dhuroi Veliut dorëzat me të cilat e fitoi meçin e kampionit të Evropës

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim boksierin Tefik Bajrami, të cilin e përgëzoi për titullin e kampionit të Evropës në boksin profesionist.




Gjatë takimit, Veliu e ka përgëzuar boksierin llapjan për luftën e treguar në meçin e së shtunës që u zhvillua në Sallën e Sporteve «Hakif Zjenullahu» në Podujevë.

Kryetari Veliu, i cili ndoqi nga afër këtë meç, e uroi boksierin Bajrami për fitoren dhe titullin e Kampionit të Evropës në boksin profesionist në versionin WBU (World Boxing Union), në kategorinë deri në 91 kg.

«Uroj që titulli i kampionit të Evropës të jetë një hap drejt meçit për titull të kampionit të botës», tha Veliu.

Boksieri Bajrami falënderoi kryetarin Veliu për përkrahjen e dhënë në meçin e fundit dhe në dy meçet e mëhershme të zhvilluara në Podujevë.

Në shenjë mirënjohje dhe falënderimi, boksieri Bajrami i dhuroi kryetarit Veliu dorëzat me të cilat e fitoi meçin për titull të kampionit të Evropës, kurse kryetari Veliu i dhuroi atij plaketën me emblemën e Komunës së Podujevës.