Bajrami e pasigurt për realizimin e projektit të Brezovicës

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami nuk e di ende nëse ka dështuar apo nëse është përmbushur garancia financiare për projektin e privatizimit të Brezovicës.




«Mbrëmë pas orës 7:00 ka ardhur oferta dhe dokumentet në ministri. Nuk mund të them sigurt se projekti ka dështuar, por as nuk e di se është e kompletuar, duhet të analizohet, nuk mund të them asgjë tani», ka thënë Bajrami në «Rubikon», duke shtuar se duhet një javë ose dhjetë ditë për këto verifikim, transmeton Koha.net.

Verifikimet e dokumenteve, sipas Bajramit, do të bëhen duke komunikuar me të gjitha kompanitë që do të realizojnë pjesë të projektit, si teleferikët apo hotelet, e më pas mund të jepet një përgjigje.

«Komiteti ndërministror do ta analizon dhe do ta ketë fjalën e fundit», ka shtuar Bajrami më tej.

Në rast dështimi, ajo ka thënë se mund të bëhet nga dikush tjetër, investitor i ri, sipas Ligjit për Investime Strategjike që pritet të kalojë në Kuvendin e Kosovës. E procesi me një investitor tjetër do të zgjaste më shkurt se sa më parë.