«Bajram, përse i keni prerë kumbullat?»

Mbi (keq)kuptimet ndërshqiptare.

Kumbullat dhe keqkuptimet ndërshqiptare.



Një mbrëmje, pak javë pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s dhe vendosjes së trupave të KFOR-it në Kosovë, një grusht shqiptarësh ishin mllefosur me një shkrim të një gazete gjermane. E përjavshmja nga Hamburgu «Die Zeit» kishte shkruar që në nëntitull të një reportazhi një fjali mbi keqkuptimet dhe kuptimet ndërshqiptare. Fjalia vinte theksin edhe te dallimet që si atëherë edhe sot vazhdojnë të ekzistojnë mes shqiptarëve – andej e këndej kufirit. Sa më shumë që pinin birra aq më të sinqertë bëheshin mërgimtarët e mllefosur të Zürich-ut. Në fund doli se asnjëri nuk e kishte lexuar shkrimin. Kishin dëgjuar vetëm fjalinë problematike: «Bajram, përse i keni prerë kumbullat?» – dhe kjo i kishte acaruar.

Kanë kaluar shumë vite qëkur lufta mori fund. Para disa kohësh, ndërsa po shfletoja një libër të botuar në vitin 1999, prej tij rrëshqiti artikulli i «Die Zeit». Fleta e gazetës ishte zverdhur, por përmbajtja edhe sot është shumë domethënëse, siç tregon vetë fillimi i tekstit: «Për ta kuptuar punën me Shqipërinë e Madhe është mirë të flitet për kumbullat e Kukësit. (…) Ky qytet i vogël në veri të Shqipërisë ka qenë i njohur për kumbullat e thara. Ato silleshin me kamionë në portin e Durrësit dhe prej andej eksportoheshin në mbarë botën. Kumbullat ishin një nga ato mallrat e pakta, të cilat braktisnin vendin e diktatorit Enver Hoxha. Deri në vitin 1991 ashtu ishte. Atë vit u shkatërrua sundimi komunist. Në Kukës i prenë kumbullat. Vetëm pak ekzemplarë kanë mbetur, shumica janë zhdukur. Aty ku kanë qenë të mbjella, sot ka vetëm bar. Ka disa vite që asnjë kamion nuk shkon rrugës malore teposhtë për në Durrës me kumbulla të thara. (Kur u shkrua artikulli i «Die Zeit» rruga e kombit nuk ekzistonte, v.j.). Më 30 mars 1999, Rizan Krasniqi për herë të parë në jetën e tij erdhi në Shqipëri. Në Kosovë ishte luftë. Rizani dhe familja e tij katëranëtarëshe mblodhën plaçkat e domosdoshme dhe i hodhën në Mercedesin e tyre. Prej Nashecit, një katundi të vogël afër qytetit të Prizrenit, ata u arratisën në Shqipëri. Si shumica e kosovarëve edhe Rizani gjithmonë kishte dëshiruar ta vizitonte vendin amë – natyrisht në rrethana të tjera, jo i përndjekur nga milicët serbë. (…) Rizani kishte halle të tjera dhe jo aq kohë për ta parë Shqipërinë. Por ai habitej me një gjë: këtu s’kishte më pemë, as mal, as gjelbërim, vetëm shkëmbinj të zhveshur, të mbuluar me shkurre. Matanë kufirit Rizani e gjeti një vend të zbrazët, të ndotur. Shqipëria ishte krejt ndryshe nga ajo që e kishte përfytyruar. Ndryshe nga ajo që e kishte treguar televizioni shtetëror i diktatorit Hoxha dhe i qeverive demokratike. Shqipëria iu duk Rizanit si një shkretëtirë kodrinore.

Ditën e dytë pas arritjes familja Krasniqi gjeti strehë në shtëpinë e Bajram Shehit. Bajrami banon në Gostil, disa kilometra larg Kukësit, në një rrafshinë. Nga kopshti i shtëpisë Rizani kishte një pamje të mirë nga plantacioni i dikurshëm i kumbullave. Trungjeve të pemëve nga distanca u shihej koka mbi tokë si kryqe të një varreze të lënë pas dore. Për Rizanin kjo pamje ishte e dhimbshme, sepse në kopshtin e tij ai kishte pasur pemë. Ai i krasiste ato, që të rriteshin mirë, ua mbulonte trungjet, që kafshët të mos e hanin lëkurën. (…) <Bajram, përse i keni prerë kumbullat?>, pyeste ai. – <Kjo ndodhi në vitin 1991 gjatë ndryshimeve> – <Po, përse?> Bajrami piu një gllënjkë raki dhe ia nisi një shpjegimi të gjatë. Pas pak Rizani nuk mundi ta përcillte më, aq përçartë fliste Bajrami»

Në rrjedhën e tekstit të «Die Zeit» enigma e prerjes së kumbullave të Kukësit, më në fund, zgjidhet. Bajrami tregon se pas rrëzimit të komunizmit dikush e kishte prerë një kumbull, pastaj ia kishin filluar të tjerët. Kjo assesi nuk do të thotë që komunizmi shqiptar ka qenë i mirë, së paku për t’i mbrojtur kumbullat. Në fakt komunizmi vetëm sa e kishte thelluar mosnjohjen e shqiptarëve andej dhe këndej kufirit.

Po sot, si qëndron puna me njohjen e ndërsjellë? I pafund është vargu i autobusëve me nxënës kosovarë që për çdo vit vizitojë Shqipërinë. Një profesor gjimnazi në Prishtinë tregon se nuk ka dëgjuar që gjatë këtyre shëtitjeve të jenë takuar nxënësit nga Kosova me moshatarët e tyre në Durrës apo Tiranë. Organizatorët e shëtitjeve të tilla ua prezantojnë nxënësve kosovarë Shqipërinë e librave të leximit: Skënderbeu, Kruja, Vlora – dhe fund! Ka edhe më keq: deri më sot pothuaj asnjë shkollë e nga Shqipëria nuk i ka sjellë nxënësit në Kosovë, së paku për ta parë Prizrenin, i cili – sikur të kishin pasur shqiptarët një elitë më të gjallë politike në fillim të shekullit të kaluar – sot do të ishte kryeqytet.

Kjo indiferencë manifestohet edhe me shembuj nga shkrimet në jo pak media të Tiranës lidhur me shqiptarët jashtë Shqipërisë. Njëherë në faqen e internetit www.balkanweb.com u botua një lajm me këtë titull: «Nga Mala Recica Ali Ahmeti paralajmëron Gruevskin…». Reçica e Vogël është një lagje e Tetovës, ku gjendet selia e partisë së liderit të shqiptarëve të Maqedonisë Ali Ahmeti. Më parë kisha lexuar një tekst tjetër në një gazetë të Tiranës për qytetin Bitola. Në shqip ky është Manastiri. Pikërisht ai Manastiri i alfabetit të gjuhës shqipe. Si do të reagonte opinioni në Tiranë sikur mediat e Kosovës ta quanin Durrësin – Drač, Shkodrën – Skadar, Tropojën – Tropolje? Bajrami dhe Rizani kanë ende shumë punë për ta njohur njëri-tjetrin.