Bajraktarë, flamurtarë dhe hokatarë

Shoqëritë e tjera flasin për të arritura të prekshme, ndër ne zhvillohen kacafytje për flamuj.




Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës sërish në kthinat e mediave sociale është ngjallur një debat mbi flamurin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, të cilin për arsye historike edhe shqiptarët jashtë territorit të Shqipërisë e shohin si pjesë të tyre, si bajrak kombëtar. Debati aktual më shumë i ngjan ballafaqimit të fansave të futbollit, të cilët nga njëra tribunë në tjetrën hedhin fjalët më të rënda. Para disa javësh Donald Trumpi në stilin e tij tha se e kishte pullën më të madhe për të vënë në lëvizje raketat bërthamore kundër atij trashaluqit të Penjanit. Jo pak bajraktarë shqiptarë të botës virtuale po sillen si Trumpi: unë e kam flamurin më të bukur. Vrulli me të cilin po zhvillohet debati mund të krijojë përshtypjen – gjithsesi të gabueshme – se njerëzit nuk kanë halle të tjera, andaj secili bëhet specialist flamujsh, emblemash, shqiponjash, yjesh, ngjyrash, mesazhesh, identitetesh.

Atëherë – kush e ka më të mirë flamurin? Ata apo ne? Kush janë ata dhe kush jemi ne? A mund të ketë konkurrencë me simbole kombëtare e shtetërore brenda një kombi, i cili për shkak të rrethanave historike sot mund të konsiderohet komb me dy shoqëri dhe dy shtete? Në viset tona çdo gjë është e mundshme, sidomos debatet e zjarrta për çështje identiteti e flamuri. Ka të tillë që mendojnë se Kosova nuk duhet të ketë flamur. Nga këtu nuk është larg pyetja: çka na duhet shteti? Ç’na duhet, kur mund të jetojmë me ëndrrën e madhe të «bashkimit kombëtar». Rrjedhimisht, tendenca që çdo simbol i Kosovës të shihet si diçka e huaj, është e rrezikshme. Ashtu siç politizohen edhe gjërat më banale të jetës së përditshme, ashtu politizohet edhe çështja e flamurit. E ka apo nuk e ka vendin «Te Rrethi» flamuri kombëtar apo ai i Kosovës?

Nuk është kurrfarë akti patriotik sot të bëhen skena me asnjërin flamur, aq më pak me atë me shkabë. Është vetëm popullizëm. Më 1968 ka qenë ndryshe dhe atëherë njerëzit kanë marrë rreziqe të mëdha mbi vete për të ngritur flamurin kombëtar. Njëri ndër ta në Gjilan ka qenë Sadik Sadiku, të cilin tërë qyteti e ka njohur si Sadik Qorri, pronar i ëmbëltores «Skenderbeu». Në mbarë Kosovën ka pasur njerëz të tillë.

Fatmirësisht ato kohëra kanë ikur. Sot është anakronike të zhvillohen gara me flamuj. Nuk duhen elaborate të gjata dhe të mërzitshme për të sqaruar përse Kosova u bë shtet dhe përse ka flamur. Sepse Shqipëria për një shekull nuk ishte në gjendje ta çlirojë Kosovën. As Kosova veten. Në ditën kur Kosova e shpallte synimin për t’u bërë republikë, më 2 korrik 1990, mijëra shqiptarë në Tiranë nuk u nisën drejt Kosovës për ta çliruar, por u futën në ambasadat e huaja – dhe bënë mirë, sepse shkuan në Itali, Gjermani, Greqi e vende të tjera, ku me paratë që fitonin atje e mbajtën gjallë, me bukë e me kripë, Shqipërinë. Me bark të zbrazët nuk luftohet. Më 1999 marrëveshjen e Rambouillet, e cila parashihte autonomi për Kosovën dhe disa mijëra ushtarë e policë serbë në Kosovë, e pranuan madje edhe ata krerë të UÇK-së që më parë kishin thënë se qëllimi i luftës së UÇK-së ishte bashkimi i Kosovës, Çamërisë dhe Shqipërisë në një shtet, natyrisht duke përfshirë viset shqiptare në Serbinë e jugut, në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Gjërat rrodhën ashtu siç i dimë: Serbia nuk e nënshkroi marrëveshjen e Rambouillet dhe NATO filloi bombardimet. Në retrospektivë vendimi i palës kosovare për të nënshkruar këtë dokument duket (dhe është!) vizionar. Kaq dije për të kaluarën e afërt mjafton për të parë sa absurde është gara e flamurtarëve, bajraktarëve dhe hokatarëve të Facebookut.

Por ndoshta debati për flamuj është simptomë e krizës së përgjithshme që ka përfshirë Kosovën prej vitesh. Ditët shkojnë e vijnë me debate mbi polemikat dhe polarizimet në parlament dhe jashtë parlamentit, në studio televizive dhe forume virtuale. Shoqëritë e tjera flasin për të arritura të prekshme, ndër ne zhvillohen kacafytje për flamuj. Ndërkohë pacientët mund të vdesin nëpër spitale që duken si të qëlluara me bomba, të papunët mund të presin në trotuar nëse vjen ndokush i merr për të ngarkuar a shkarkuar ndonjë mall, pastaj afera e korrupsionit ndjek tjetrën dhe sundimtarët tanë bëjnë qejfe me paratë e qytetarëve nga kryeqyteti në kryeqytet, nga hoteli në hotel – prej Zvicrës në Amerikë. Këto probleme dhe këto plagë nuk mund të mbulohen, as shërohen me gëzof flamujsh.