«Babë, hajde merrna»

Në Winterthur të Zvicrës ka filluar procesi gjyqësor kundër dy të rinjve shqiptarë, të cilët në vitin 2014 shkuan në Siri dhe iu bashkuan organizatës terroriste «Shteti Islamik» (IS). Esra dhe Vedati refuzuan me kryeneçësi të flasin për jetën e tyre në Kalifatin e terroristëve. Përkundër heshtjes në ditën e parë të procesit u mësuan detaje të reja interesante për këtë rast spektakular. Prokuroria kërkoi burg me kusht për të akuzuarit. Aktgjykimi do të shpallet tek në vitin e ardhshëm.

Pamje nga qyteti i vjetër i Winterthurit.



Një premierë zvicerane: Vedati dhe Esra, dy të rinj nga Kosova, shtetas zviceranë, që nga e hëna janë ish-përkrahësit e parë të «Shtetit Islamik» që dalin para gjyqit në Zvicër. Procesi në qytetin e Winterthurit është hapur fiks në orën 08:00, me saktësi të orës zvicerane. Vedati dhe Esra ishin 16, respektivisht 15-vjeçar kur në dhjetor 2014 braktisën familjen në Zvicër dhe shkuan në Siri. U kthyen pas një viti falë një aksioni të nënës së tyre, e cila shkoi në Siri për t’i bindur që të kthehen dhe ia doli.

Prokuroria që merret me deliktet e të rinjve i akuzon të dytë, Esrën dhe Vedatin, se kanë shkelur ligjet antiterror të Zvicrës dhe i janë bashkuar një organizate kriminale. Vedati dhe Esra tani janë 20 dhe 19-vjeçar. Raportimi nga procesi, siç njoftojnë kolegët e pranishëm në sallë, është i kufizuar. Gjykata dëshiron t’i mbrojë sa më shumë që të jetë e mundshme dy të rinjtë nga kureshtja e opinionit. Gazetarët nuk guxojnë të japin të dhëna biografike mbi të akuzuarit. Aktakuza nuk shpërndahet, por vetëm lexohet një rezyme.

Pas leximit të aktakuzës Prokuroria e të Rinjve kërkoi për të akuzuarit 11 dhe 12 muaj burg, por që dënimi të jetë me kusht. Pastaj fjala iu dha të akuzuarve. I pari foli Vedati: ai tha se po e shfrytëzonte të drejtën e tij për të heshtur para gjyqit. Edhe motra e tij Esra veproi njëjtë. Gjatë leximit të aktakuzës gjykatësi Andreas Oehler, i cili është edhe kryetar i trupit gjykues, tha se Vedati dhe Esra nuk akuzohen për pjesëmarrje në veprime luftarake apo për mizori të luftës. Vedati, sipas autoriteteve zvicerane, e ka përkrahur «Shtetin Islamik» në fushën e logjistikës, duke shpërndarë ndihma dhe organizuar transporte. Esra, sipas aktakuzës, në territorin e «Shtetit Islamik» ruante disa fëmijë dhe ua mësonte atyre anglishten. Të dy të rinjtë shqiptarë dyshohet se janë marrë dhe me propagandë, duke iu bërë thirrje njerëzve në Zvicër që t’i bashkohen Kalifatit.

Nga aktakuza mësohen detaje të reja mbi kthimin e fëmijëve nga Siria në Zvicër. Nëna e Esrës dhe Vedatit shkoi në Siri dhe qëndroi atje tre muaj. Përpjekja e parë për ikje nga Siria dështoi në tetor 2015. Përpjekja e dytë ishte e suksesshme. Më 29 dhjetor 2015 Esra dhe Vedati u kthyen në Zvicër me nënën e tyre.

Shkuarjen e Vedatit dhe Esrës në zonën e luftës, sipas aktakuzës, e kanë përkrahur disa selafistë, siç quhen radikalët fetarë islamikë. Kampioni i thai-boksit Valdet Gashi dhe Sandro V., i cili e quante veten «Emiri i Winterthurit», i dërguan në Aeroportin e Zürichut Vedatin dhe Esrën. Valdet Gashi është vrarë në Siri gjatë një sulmi amerikan nga ajri. Sandro V. jeton në Winterthur dhe përherë e ka mohuar akuzën se ka qenë në dijeni mbi zhdukjen e Esrës dhe Vedatit.

Policia zvicerane llogarit se dy të rinjtë shqiptarë kanë qëndruar në qytetin sirian Manbixh dhe në Raka, kryeqyteti i «Shtetit Islamik». Babai i fëmijëve kishte thënë se ata jetuan në një fabrikë çimentoje në Manbixh. Esra dhe Vedati refuzuan të përgjigjen se ku kanë jetuar në «Shtetin Islamik». Ndërsa Esra me kryeneçësi refuzon të flasë, Vedati bën disa vërejtje të përgjithshme. Ai thotë se njerëzit në «Shtetin Islamik» janë terrorizuar nga të gjitha palët, jo vetëm nga «Shteti Islamik», por edhe nga vendet perëndimore si Gjermania. Me gjasë Vedatit i është shpëlarë aq shumë truri, saqë shtetin gjerman, i cili i ka pranuar një milionë refugjatë sirianë, e bën fajtor për tmerret e Sirisë të shkaktuara nga «Shteti Islamik».

Pas marrjes në pyetje të të akuzuarve, seanca u mbyll për gazetarët. Në tri ditët e ardhshme gjykimi zhvillohet pa praninë e mediave. Aktgjykimi do të shpallet tek vitin e ardhshëm, tha gjykatësi Oehler. Më herët kur është marrë në pyetje, Esra ka thënë se përditshmëria e saj në Siri ka qenë normale si në Zvicër. Ajo ka thënë se flinte deri në orën 10:00 ose 11:00, pastaj kujdesej për disa fëmijë, të cilëve ua mësonte anglishten. Pasdite, pas lutjeve, ajo përgatiste ushqimin.

Në prill të vitit 2015 – afër katër muaj pas shkuarjes në Siri – Vedati i telefonoi babait të tij dhe i tha: «Babë, hajde merrna». Kështu ka deklaruar babai i fëmijëve. Në shtator 2015 në zonën e luftës në Siri shkoi nëna e fëmijëve me qëllim që t’i bind për t’u kthyer në Zvicër. Përpjekja e parë për të ikur dështoi më 9 dhe 10 tetor 2015. Esra e Vedati dhe me gjasë edhe nëna e tyre u ndaluan nga ushtria turke dhe supozohet se u kthyen prapa në Siri, tha gjykatësi. Nga të dhënat e gjykatësit mund të merrej me mend se Esra dhe Vedati shprehën dëshirën të iknin nga Siria për shkak se frikësoheshin se do të humbnin jetën. Më parë tre «shokë» të tyre – Valdet Gashi, Hajan D. dhe Christian I. – humbën jetën si luftëtarë të «Shtetit Islamik». Përkundër frikës që ndiente në Kalifat, Vedati e përshkroi shkuarjen e tij atje si veprim të mirë, sepse kishte dashur të ndihmonte. Heshtja në pjesën më të madhe të procesit dhe deklaratat shpeshherë absurde, siç është akuza ndaj Gjermanisë, lënë për të dyshuar se Vedati (dhe Esra gjithsesi) janë penduar për veprën e rrezikshme që kanë bërë.