«Babai» ose një udhëtim nëpër ferr për të kapur dritën

Një dimër që nuk dihet sesa stinë do të ketë, «çelet» me tingujt e «pranverës në Prishtinë».

Foto: Shutterstock



Fytyra e lodhur e një burri dhe frika e të qenit i «kapur», i kthyer pas. Në radion e makinës dëgjohet ende «Pranvera në Prishtinë», ndërsa në bagazhin e makinës, përshfaqet fytyra e njomë, e strukur dhe e ngrirë e Norit, një djalosh, që ende nuk i kanë dalë qimet e para në fytyrë. Kështu nis drama në ekranin e kinemasë, ndërsa për shumë shqiptarë tragjedia e emigrimit ilegal, në jetën reale.

«Babai» i Visar Morinës është vendosur në Kosovën e viteve 1990, por këtë e kupton nga subjekti i filmit, pasi koha humbet. Mund ta quajmë edhe një film pa kohë, apo një «fiction» të vendosur në kohë.

Në kohën, tani, sot, kur në kronikat tona flitet çdo ditë për shqiptarë që ikin nëpër shtigje të pasigurta, për shqiptarë që kthehen pasi në kampet e azilkërkueseve nuk pranohen.

«Kampi i refugjatëve ku janë xhiruar disa pjesë nga filmi është real, në Gjermani», shpjegon një nga bashkëproducentët e filmit «Babai», Visar Krusha. Ndërsa më tej thotë se Nori (Val Maloku), 11-vjeçari i talentuar që është protagonisti i filmit, është zgjedhur pas 3000 fëmijëve që kanë marrë pjesë në audicione.

Për «Babain» (Astrit Kabashi) roli i emigrantit nuk ka qenë dhe aq i vështirë. «Unë e kam provuar vetë emigrimin gjatë luftës, ndërsa im atë ka emigruar në Gjermani në vitet 90. Jam ndjerë shpesh si Nori në film, por rrija me shpresën se një ditë dhe ne do shkonim tek ai, derisa një ditë im atë u kthye», shprehet Kabashi. Ai nuk lë pa rrëfyer edhe një moment pikant nga puna me 11-vjeçarin e talentuar Val Maloku, të cilit ky «emigrim» i ka hapur rrugët në Hollivud. «Kemi punuar shumë gjatë edhe me Visarin, edhe me fëmijën. Ai është një fëmijë shumë inteligjent. Në fillim kemi pasur frikë, na është dukur i ngurtë, ndaj kemi ikur në mal bashkë me djalin për t’u socializuar pak. Kemi parë që ai është shumë i zgjuar dhe na ka befasuar të gjithëve», thotë ai për Valin, i cili e ka pasur këtë rolin e tij të parë.

Në film gjithçka është në shërbim të bashkimit të Norit me babanë e tij. Madje edhe Valentina, gruaja që ka burrin në Gjermani, e cila i vjedh atij lekët e rrugës për t’ia mbathur vetë.

Qëllimi për të shkuar tek të dashurit në Gjermani i bën sërish bashkë dhe djali tashmë i rrahur me vaj e uthull mundet të marrë pjesën e tij të lekëve për të shkuar në Gjermani.

Kalvari i mundimtë nga toka në det, nga deti në kamion duket se s’do të marrë kurrë fund. Në këtë fragment ka vetëm errësirë dhe një dritë të zbehtë në fytyrat e rraskapitura të atyre që i shpëtuan vdekjes.

Valentina, aktorja Adriana Matoshi, rrëfen se për të çastet më të vështira ishin xhirimet në det, atje ku thellësia ishte deri në 300 metra.

Por, errësira dhe karvani i mundimeve në shpinën e brishtë të Norit dhe shpatullat e përvuajtura të Gëzimit nuk marrin fund as në qiejt e Gjermanisë, as kur bëhen bashkë. Madje gjithçka bëhet më e vështirë, edhe dashuria mes tyre. Miti i babait që ofron siguri, strehë, ushqim zhbëhet, ndërsa vuajtja e shumëfishtë zmadhohet. Dhe gjithçka mbetet është një tjetër ikje, një tjetër rrugë klandestine në errësirë, derisa diku, dikush të ndezë dritën e një strehe, e një vakti, e pak dinjiteti njerëzor, i cili shpesh teret në luftën për mbijetesë.

«Babain» Kosova e ka përzgjedhur për ta çuar në Oscar në kategorinë e filmit të huaj. Ai është cilësuar si një ndër realizimet kinematografike shqip më të arrira, ndërsa punën për të Visar Morina e ka nisur qysh në vitin 2007. Deri tani filmi është shpërblyer me disa çmime mjaft të rëndësishme; si çmimi për regjinë më të mirë në Karlovy Vary Festival, ndërsa ka marrë tre çmime në Munich Film Festival për skenarin, regjinë dhe aktorin më të mirë.

(Jonida Hitoveizi është gazetare nga Tirana)