«Babai»- në garë për «Çmimin e Paqes» në festivalin gjerman

Filmi që shpërfaq një histori të bazuar në ngjarje reale të Kosovës së viteve ’90, do të shfaqet në një prej festivaleve më të vjetra që mbahen në Gjermani.




«Babai» i Visar Morinës- njëherësh propozimi i vendit për anëtarët e Akademisë që ndan çmimin prestigjioz kinematografik «Oscar»- më 9 të këtij muaji do të shfaqet në festivalin gjerman «Unabhängiges Filmfest Osnabrück» (Festivali i filmave të pavarur në Osnabrück). Ky festival mban edicionin e 30-të midis datave 7 e 11 të këtij muaji. «Babai» është në garë për çmimin «Peace Film Award», shkruan sot «Koha Ditore».

Në ueb faqen zyrtare të këtij festivali thuhet se «Unabhängiges Filmfest Osnabrück» është një prej festivaleve më të vjetra e më prestigjioze të filmit që mbahet në Osnabrück, Lower-Saxony që ndodhet në veriperëndim të Gjermanisë, dhe është vendi i katërt në këtë shtet sa i përket numrit të popullsisë, me 8 milionë banorë. Festivali për çdo vit tubon prodhues të pavarur të filmit nga e gjithë bota dhe ndan pesë çmime, të cilat përfshijnë vlerën totale prej 15 mijë eurosh.