«Babai» dhe «Burrneshat» në Festivalin e Selanikut

Dy filma të bashkëfinancuar nga Kosova janë pjesë e programit të Ballkanit në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik.




«Babai» i Visar Morinës dhe «Burrneshat» me regji të Laura Bispurit, do të shfaqen në kuadër të festivalit në Selanik, që mbahet prej 6 deri më 15 nëntor, shkruan sot «Koha Ditore».

Ky festival konsiderohet si një prej më të rëndësishmëve në Evropën Juglindore dhe këtë vit organizon edicionin e tij të 56-të.

«Babai», filmi të cilin Kosova e ka përzgjedhur si propozim për nominim për «Oscar», dhe «Burrneshat» i cili mbështetet në romanin e Elvira Dones «Hana», do të jenë pjesë e programit bashkë me filmat «Aferim» nga Radu Jude, «Mustang» e «Our Everyday Life», ku luan edhe aktori kosovar Uliks Fehmiu, si dhe «Honey Night».