Azilkërkuesit në Serbi refuzohen nga qiradhënësit

Azilkërkuesit në Serbi po përballen me një problem të ri teksa shumë pronarë shtëpish refuzojnë t'i japin atyre me qira apartamente, thotë një OJQ që i ndihmon ata të kërkojnë shtëpi.

Fëmijë në një qendër azili në Beograd. Foto: BETA



Azilkërkuesit e regjistruar në Serbi të cilët kanë leje të kërkojnë vetë për strehim janë refuzuar nga «qindra» pronarë, duke e bërë të vështirë kërkimin e shtëpive të reja, bëri të ditur OJQ-ja Qendra e Përgjigjeve dhe Politikave ndaj Krizave, e cila ndërmjetëson me pronarët dhe azilkërkuesit.

«Bëjmë qindra telefonata dhe mbase katër ose pesë nga njëqind [pronarë] bien dakord që të na tregojnë apartamentin, megjithëse deri kur mbërrijmë te ata disa ndryshojnë mendje», thotë Branislava Pokusevski Kumalakanta, koordinatore e projektit në Qendrën.

Ajo i tha BIRN-it se pronarët përgjigjen negativisht «në 90 për qind të rasteve», sapo marrin vesh se apartamenti është për një shtetas të huaj që kërkon azil.

Numri i azilkërkuesve të cilët kërkojnë shtëpi nuk është i madh. Serbia po i proceson ngadalë kërkesat për azil, kryesisht për shkak të mungesës së personelit në Zyrën Kombëtare për Azil dhe shumica dërrmuese e aplikimeve refuzohen.

Sipas statistikave të Zyrës Kombëtare për Azil, nga 151 kërkesa në gjashtë muajt e parë të vitit 2017 asnjëra nuk është pranuar, ndërsa 28 personave u është mohuar azili. Në 2016, 105 aplikantë u refuzuan dhe vetëm 19 u pranuan.

Nga numri i vogël i aplikantëve të pranuar, një numër edhe më i vogël aplikon për leje për të kërkuar vetë strehim, për të dalë nga qendrat e azilit.

Sipas UNHCR në Serbi, Zyra Kombëtare për Azil ka lëshuar 15 leje të tilla që nga fillimi i vitit 2017.

«Nëse keni para dhe mund të përballoni qiranë, [Zyra] nuk e ka problem», tha për BIRN-in UNHCR.

UNHCR shpjegoi se adresa i bëhet e njohur autoriteteve që ata gjithmonë mund të kontaktojnë me azilkërkuesit gjatë procedurës për dhënien e azilit.

Pokusevski Kumalakanta thotë se Qendra e Përgjigjeve dhe Politikave ndaj Krizave ka ndihmuar gjashtë ose shtatë individë dhe familje për të gjetur një shtëpi për mbi një vit. Gjetja e një apartamenti mund të zgjasë deri në dy muaj «kërkim intensiv».

«Kemi marrë përgjigje si ‚Nuk e dua këtë për shtëpinë time’. Kur shkuam të shihnim një apartament, [pronari] na tregoi nga dera dhe na nxori jashtë», tha ajo.

Këshilltarja ligjore Ana Stefanoviq, nga e njëjta qendër thotë se qiradhënësit kanë pronën e tyre private ndaj kanë të drejtë të zgjedhin.

«Megjithatë, ligji nuk është shumë i saktë dhe kjo duhet të kontrollohet me Komisionerin për Mbrojtjen e Barazisë», tha Stefanoviq.

Ajo shtoi se Qendra ka parë edhe shembuj pozitivë të pronarëve që ulnin çmimin e qirasë për azilkërkuesit.

«Zakonisht e rrisin çmimin shumë. Në një lagje të Beogradit, një person që e kishte nxjerrë apartamentin me qira për 180 euro, na tha se për ‘ta’ çmimi ishte 300», përfundoi Pokusevski Kumalakanta.

(https://www.reporter.al/azilkerkuesit-ne-serbi-perballen-me-refuzim-nga-qiradhenesit/)