Azemi – njeriu që u dha emër shkrelëve

Çka me lexu? Për studiuesin Robert Elsie Azem Shkreli «është poet i mendimit». Dhe këtë na e vërtetojnë poezitë e tij nga vëllimet «Kënga e hutinit» dhe «Lirikë me shi». Ali Podrimja shkruante se Shkreli «njihet si fanatik i vargut, i latimit të tij, i ritmit, i muzikalitetit tekstor, i ironisë që shpesh na shfaqet në sarkazëm».

«Nuk dua të kthehem e ta shoh këtë ligështim»: Azem Shkreli.



Azem Shkreli është i veçantë në letrat shqipe, ai ia vë themelet poezisë së meditimit të thellë dhe vargut mejtues dhe mëtues – sentencial.
«Ne jemi rritur me poezitë e tij dhe të Ali Podrimjes. I kemi lexuar ilegalisht, kur dikush nga Kosova i sillte një miku të tij në Tiranë dhe ato shumëzoheshin me shaptilografë, ose kaloheshin dorë më dorë dhe nuk ishin rastet të rralla kur përshkruheshin nga studentë e nxënës me bukurshkrim… për t’u ruajtur si hajmali – ose si literaturë e organizatave ilegale» – më thotë Agron Tufa, poeti e studiuesi dibran nga Tirana.

«Nuk dua të jetoj e ta shoh Shqipërinë të shkatërruar nga plogështia dhe çmenduria e njerëzve të saj» – shkruante Edith Durham në një letër dërguar Fan Nolit më 6 prill 1943. Para se të nisej për çështje literature në Perëndim, kam pi një kafe espreso me Azem Shkrelin. Ishte tepër i ngrysur.
I dëshpëruar me rrjedhat politike në Kosovë. Nxori nga xhepi një letër dhe ma dha ta lexoja. Ishte e shkruar për gazetë dhe i drejtohej Ibrahim Rugovës, atëherë lider i LDK-së. Rugovën e kritikonte kryesisht për rrethin e njerëzve mediokër që i kishte afër vetës dhe për neglizhimin e shumë çështjeve. Azemi e qortonte atë se po e linte të vdiste kulturalisht e politikisht Kosova dhe se kjo do të hakmerrej duke prodhuar një kastë batakçinjsh.

Personalisht ajo letër nuk më është dukur kurrë as e ashpër, as denoncuese ose fyese për Rugovën, të cilin e çmonte edhe Azemi, por ai, më tepër merrej «me ata që e rrethonin» – disa opurtunistë me damkë. Neglizhenca dhe avancimi i demagogëve të përsosur vërtet do të ndikonte që LDK-ja e tij ta humbiste primatin dhe grupet e armatosura të shfaqeshin në skenë. Po niste epoka e përgjakshme.

«Nuk dua të kthehem e ta shoh këtë ligështim, këtë zvetënim…» – më pat thënë Azem Shkreli. Dhe ai vërtet e mbajti fjalën. Nuk u kthye i gjallë në Prishtinë! Thuhet se ishte ndalë dhe kishte shikue qiellin – pastaj kishte fërkue ballin. Do djersë të ftohta e kishin përshkue. Kishte thënë: «Nuk bëj tutje as një hap!» Dhe kishte dhënë shpirt në aeroport!

E kam njohur që nga vitet 80-ta. por e takova vonë, tek më 1993. Pinim kafe «Te Qafa» aty ku ishin «zhvendosë» shumë nga intelektualët prishtinas të kohës, që dikur kishin ndenjur me nge në Grand Hotel Prishtina ose në Hotel Bozhuri. Ndonjëherë vinte Ali Podrimja me rrapëllimën e tij. Po më shpesh avokatët që na kishin mbrojtur neve, pjesëtarëve të Parlamentit Rinor të burgosur më 1990, Bajram Kelmendi, Jusuf Hakaj dhe Fazli Balaj (që të tre tashmë të ndjerë). Vinin andejpari edhe letrarët Eqrem Basha, Anton Berishaj. Podrimja ashiqare e çmonte shumë Azemin, por edhe ky i fundit edhe pse nuk e shprehte dot me fjalë, ia kthente respektin. Ishte kursimtar në muhabete kafenesh – njashtu siç e latonte vargun poetik, të shkurtë e sentencial. Sidoqoftë, Podrimja egocentrik, veten e vinte çdo herë e në të gjitha storiet të parin. «Unë e Azemi…» – thoshte për çkadoqoftë që lidhej me ata dy. Avokati Fazli Balaj rëndom tregonte barsoleta. Ishte edhe ai kritik i veprimeve të LDK-së, por më i përmbajtur. Kurse Bajrami kurrë nuk e vinte në dyshim veprimtarinë e partisë së Rugovës e sidomos jo të Ibrahim Rugovës.

Azemi shoqërohej kryesisht me aktorët kosovarë (kish punuar drejtor në Kosovafilm), por e di se rrinte më së shumti me avokatin Bajram Kelmendi, i cili ishte një adhurues i Gjergj Fishtës dhe koleksionist i çdo gjëje që ai ka shkruar. Azemi fliste me nge dhe me zë të ulët. Ngrihej dhe zhdukej shpejt, pa u vërejtur. Vlen të theksohet libri «Lirikë me shi» (1994) që edhe mbetët libri kulmor i tij në poezi, ndonëse edhe libri «Kënga e hutinit» shquhet për vargun meditativ.

Na kishte thirr mue dhe disa nga kolegët e «Zërit» dhe na e dhuroi nga një ekzemplar të «Lirikë me shi». Ekzemplarin tim menjëherë ma «vodhi» një mike që atë ditë po udhëtonte jashtë Kosove, në Perëndim, kurse unë ia vodha ekzemplarin që Azemi ia pati dhënë po ashtu me dedikim Mufail Limanit.
Pasi që e falënderuam ia uruam librin me disa birra, kurse ai pinte espreso.

Me impresionet që të mbesnin të pashlyera kur e lexoje Shkrelin në qershor 1995 shkrova një poezi, jo për personin e tij, por për gjuhën e tij ezopike dhe vargun ekonomik dhe shumë lirik dhe përmbajtësor. Dikush madje do ta quante prozë-poetike që mund të lexohet edhe si letër. Po edhe si poezi. E kisha titulluar «Polemikë linguistike me Azem Shkrelin» dhe e botova tek vëllimi «Hija e Krishtit» (Sheshi, 2006).

…pse ke aq shumë sh, aq shumë shi, aq shumë shushërimë shkrolash e fërshëllimë grykash tek sheh shpirtërat e shkrelëve tu tek zbardhin të zezat bjeshkë të bardha…

Vërtet Azem Shkreli në poezinë «Bisedë me Shkrelët» me 16 vargje kishte përdorë dhjetë herë sh-në si në fjalët: shkrelë, kështu, mëshirë, ndryshe, shtarmë, myshk, pushkë, fëshfërini… Dhe, me të marrë kumtin se Azem Shkreli vajti mbi qiellin e Rugovës, më 25 maj 1997, poezisë «Polemikë…» ia ndajshtova edhe vargjet «Vrazhdësia e mëndafshtë e kthimit në tokën nanë».
Vdekjen nuk ia kisha përmendur, por në vend të saj e përdorja metaforën «shkëputje brilante»! Dhe i thosha që të ishte i lumtur sonte se i ka shpëtuar patrullës policore në Dardani, pa e mbështet për muri. Dhe mbi të gjitha pa ia konfiskuar disketën me vjersha të kompjuterit «Pentium» që sapo kishte hy në tregun kosovar. Gjë që më kishte ndodhë mua po në këtë ditë. Dhe kur policët kishin shkelë me çizme mbi diskun me poezi (dorëshkrimin e librit poetik «E pabesueshme…», që kurrë nuk është riprodhuar dhe rishkruar, në ato çaste kisha dëgjue tingullin e asaj mase plastike: shkraaap – shkëëërt – shkruuup. Si të shkelej truri i njeriut! Pastaj m’u shfaqën yjëzi para syve apo qysh thojnë kosovarët: «Kalanica të verdha»! Sepse, natyrisht kisha marrë dy-tre shuplaka të forta fytyrës. Dhe përnjëherësh i pata marrë lakmi Azemit, që nuk rronte më!

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës dhe vdiq në pranverën e vitit 1997. Në varganin «Shënime natën, 1» Shkreli këndon nëpër terr dhe ka me vete vetëm penën, njat penë korbi me të cilën shkruajti për bardhësitë e Rugovës e të rugovasve, për ashpërsinë e tyre si duart e nënës që hapen për ta marrë t’birin në gji. Tek më 2010 kam mësuar se një njajo penë (stilograf) i ishte dhuruar në Zvicër nga Azemi një kolegut tim, që sapo «shkelte» në podiumet ku lexohej poezia. Me penën e Shkrelit kolegu im nuk shkruan poezi, por e përdor vend shtize për me i shitue shpirtnat e ligj të këtij vendi. Ata nuk shkojnë të dielave në Kishë – janë në Qeveri!

Fahri Musliu në monografinë për Bekim Fehmiun «Odiseu i Kosovës» zbulon detajet e një raporti të vështirë të Azem Shkrelit me aktorin e madh.
Qe çka thotë vetë Bekimi për takimin me Azemin në ditarin e tij: «Qysh në maj Azem Shkreli më luti të takohemi. E dija se është poet i shkëlqyeshëm, e ka qenë edhe drejtor i Teatrit Popullor. Tani u paraqit si drejtor i përgjithshëm i . Në kafenenë në Terazi u njoha me Azemin për herë të parë. Më pëlqen si tingëllon shqipja e tij, me fjalor të pasur dhe muzikalitet të butë. Më ofron rolin kryesor në filmin . Skenarin e ka shkruar vetë në bazë të ditarit luftarak të Fadil Hoxhës (Është fjala për ditarin ).
– Si ju pëlqeu skenari im?
– Nuk më pëlqeu. Emrin e Fadil Hoxhës, dhe kush është ai, e di nga fëmijëria.
E kam njohur personalisht në vitin 1956. Në skenar nuk ekziston figura e tij. Ai është njëfarë komandanti që quhet Betim Kosova, i cili është hedhur në një masë të njerëzve dhe tërësisht është shkrirë në të.
– Ama këtu rolin kryesor duhet ta luajë masa, populli. Këtë e kam bërë me qëllim!
– A e keni shikuar filmin , mbi desantin e forcave anglo-amerikane në Normandi, më 6 qershor 1944? Masë më të madhe të njerëzve në film nuk kam parë. Edhe sot i mbaj mend fatet e individëve. Secili nga ata e ka emrin dhe biografinë e vet.
Në të gjitha mënyrat u mundua të më bindë se roli kryesor është POPULLI. Më ofroi edhe regjinë. E refuzova. Azemi para do kohe është kthyer nga Shqipëria. Më thotë se atje shokët i kanë thënë: » Pastaj aktori rrëfen se si ishte takuar me Fadilin për t’i evituar thashethemet se «Bekimi po kërkon kushte hollywoodiane, qindra-mijëra dollarë». «Desha ta takoj personalisht».

«Ekremi (Kryeziu) duke turfulluar, papritmas e ndërpreu punën.
– Azem, kam diçka për të thënë. Unë s’mund ta xhiroj filmin me Bekimin.
Ose le ta xhirojë ai ose unë! Mos u hidhëro të lutem. Ashtu kam vendosur!
– A është e mundur që të na bësh këtë, tani kur është publikuar se do të punojmë bashkë?
– Nëse dëshiron, mund të jam ndihmës i regjisë.
– Jo! Këtu pushon çdo bisedë. E bësh me nder!
– E kalova natën pa gjumë. Mendoja për atë se me kë mund ta vazhdoj punën. Nuk kam mundur ta tërheq fjalën e dhënë.
– Bekim, eja që filmin ta xhirojmë ti dhe unë.
– Siiiiiiiii? – me refleksion e kam kthyer kokën.
– Përse të mos e xhirojmë filmin ti e unë? – e përsërit pyetjen, duke thithur tymin e cigares.
– A po e bën ti këtë me shaka a po mendon seriozisht?
– Më se seriozisht!
(…)
Kjo është sikur unë të të them ty: Hajde ta shkruajmë bashkë poezinë: «Poezia e Bekim Fehmiut dhe Azem Shkrelit», e unë në jetë kurrë s’kam shkruar asnjë strofë! Si mund të të bie ndërmend diç e tillë?
– Au–uuu, domethënë, ti ke diçka edhe kundër meje!
– Jo, s’kam asgjë kundër teje, unë mendoj vetëm në film. Më duhet ta njoftoj shokun Fadil dhe Xhavit.
– U ngrita, i mblodha letrat nga tavolina.»

Dhe Bekimi iku nga ky raport i vështirë me sivëllëzërit kosovarë. Shumë më vonë në biseda miqsh ai do të përgjigjej se nuk mund ta duronte mosdijen dhe amatorizmin e skajshëm të kosovarëve në fushë të filmit që ishte edhe shkaku që Fehmiu nuk luajti kurrë më shqip. Kurse regjisori Kryeziu dhe poeti Shkreli do të thoshin gjithnjë se «Bekimi e la punën për shkak të mendjemadhësisë…!»
Dhe vërtet Bekimit i kishte hije mendjemadhësia.
Njashtu siç i pati hije edhe Azemit poezia.