Avokati nga Prishtina gjobitet nga Gjykata Federale e Zvicrës

Avokati Franklin Sedaj ka deponuar 21 ankesa në Gjykatën Federale të Zvicrës në emër të klientëve të tij. 20 ankesa nuk janë marrë fare parasysh nga gjykatësit, një është hedhur poshtë – dhe Sedajt i është tërhequr vërejtja të mos keqpërdorë të drejtën e ankesës. Meqë është treguar i shurdhër ndaj apeleve, Gjykata Federale e Zvicrës e ka gjobitur, shkruan gazeta zvicerane «SonntagsZeitung».




Në janar gjykatësit e Gjykatës Federale të Zvicrës e humbën përfundimisht durimin. Për shkak të «ushtrimit të qëllimshëm dhe mendjelehtë të ankesave» avokati Franklin Sedaj është gjobitur me 1000 franga. Ky përfaqësues juridik nga Kosova vazhdimisht i është drejtuar Gjykatës Federale. Një humbje kohe: deponimet e Sedajt janë të padobishme. 20 herë Gjykata nuk është marrë fare me ankesat e tij; njëherë një ankesë e tij është hedhur poshtë. Që në vitin 2016 Gjykata e kishte gjobitur Sedajn: së pari me 300 franga, më vonë me 700. Por ai s’ka paguar kurrë.

Tani Gjykata ka shkuar një hap më tutje. Në vendimin «8C 798/2016» të datës 17 janar theksohet: «Refuzimi konsekuent për të paguar gjobat është i padenjë për një përfaqësues juridik». Nëse avokati Sedaj nuk e paguan gjobën deri në fund të marsit, atij i kanoset një denoncim nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Gjykata ia ka tërhequr vërejtjen atij se nuk do t’i shqyrtojë më ankesat e tij. Kaq qartë Gjykata Federale flet rrallë ndaj avokatëve.

Qortimi është shprehje e paralizës që mbretëron në Gjykatën Federale. Prej vitesh gjykatësit e nivelit më të lartë të Zvicrës po fundosen nga një dallgë ankesash: vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 8 mijë ankesa. Në krahasim me vitet ’70 kjo është një katërfishim. Në të njëjtën kojë numri i gjykatësve të punësuar në Gjykatën Federale është shtuar vetëm nga 28 në 38. Tani së paku Gjykata mund të vendosë më shpejt për të hedhur poshtë ankesat. Falë ndryshimit të ligjit për Gjykatën Federale, i cili është në fuqi nga viti 2007. Por ky ligji po ashtu e bën më të lehtë deponimin e ankesave në Gjykatën Federale. Për pasojë ankesat po shtohen.

Zyra e Sedajt nuk gjendet në Zvicër, por në rrugën e UÇK-së numër 6 në Prishtinë. Kjo është njëra prej adresave më prominente në kryeqytetin e Kosovës. Aty afër gjenden banka si ProCredit apo argjendari si Finesa Jewelry. Mbi derën e hyrjes nga rruga qëndron një tabelë e zezë me një shigjetë, e cila tregon hyrjen me këtë shënim: «Avokat Franklin Sedaj – Përkthyes gjyqësor për gjuhën gjermane pranë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë». Në kutinë postare gjendet një letër A4 me këtë informatë: «Pranimi i palëve nga ora 8 deri në orën 15».

Ankesat kanë të bëjnë me pensione invalidore

Oda e Avokatëve përgjegjëse për Sedajn gjendet në Kosovë. Nëse Gjykata Federale dëshiron ta detyrojë atë të paguajë gjobën, duhet të kontaktojë Odën e Avokatëve të Kosovës. Drejtori ekzekutiv i Odës së Avokatëve, Yll Zekaj, i pyetur për rastin ka thënë se s’ka dëgjuar për këtë gjobë. Por ai konfirmon se Franklin Sedaj është anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës.

Ankesat e Sedajt funksionojnë përherë sipas modelit të njëjtë: një kosovar ankohet se sigurimi invalidor i Zvicrës për personat të siguruar në botën e jashtme ia ka ndërprerë pensionin – përkundër dëshmisë mjekësore se është i paaftë për punë. Sedaj në raste të tilla argumenton se vendimi i gjykatës për çështje të sigurimeve në Zvicër është marrë në bazë të një ekspertize të njëanshme dhe rrjedhimisht e paligjshme. Që Gjykata Federale ta shqyrtojë një rast të tillë hollësisht, ajo kërkon një akontacion deri në 5 mijë franga. Nëse vlerësohet se shpenzimet gjyqësore janë më të larta, mund të kërkojë më shumë. Por Sedaj sillet sa i përket akontacioneve si me gjobat: nuk paguan.

Keqpërdorim i sistemit juridik të Zvicrës

I pyetur përmes telefonit për rastin, Sedaj bëhet sikur nuk di asgjë: «Nuk kam informatë se jam gjobitur. Unë e kryej punën ndershëm dhe profesionalisht. Të gjitha ankesat kanë marrë përgjigje pozitive». Në pyetjen nëse këtë mund ta dëshmojë, ai shpejt i humb nervat. Thotë se nuk mund ta bëjë këtë për shkak të mbrojtjes së të dhënave. «Ju lutem më lini të qetë. Harrojeni emrin tim». Pastaj ai mbyll telefonin. Ai e lë të hapur mundësinë nëse u ka dërguara fatura për pagesë klientëve të tij për ankesat e padobishme.

Sedaj është shembulli më ilustrues i një avokati, i cili keqpërdorë sistemin juridik të Zvicrës për përfitim personal. Por ai nuk është i vetmi, që rregullisht nxit vendime refuzuese të Gjykatës Federale. Në 10 vitet e fundit Gjykata Federale mesatarisht ka refuzuar të merret me 40 për qind të 73 mijë ankesave. Vitin e kaluar nga 8000 ankesa 3000 kanë qenë të pavlefshme.

Mund të mendohet se laikët janë përgjegjës për shumicën e gabimeve formale gjatë deponimit të ankesës. Në Zvicër nuk duhet të jesh avokat për të dorëzuar ankesë. Vetëm në çështje penale kërkohet një avokat sipas detyrës zyrtare, nëse dënimi arrin një masë të caktuar.

Edhe avokatë të tjerë kanë një kuotë të keqe

Në fakt edhe avokatët deponojnë ankesa të kota. Në dhjetë vitet e fundit ata kanë deponuar 5400 ankesa në kundërshtim me ligjin, pra pa arsyetim të duhur, ose si Sedaj thjesht nuk kanë paguar akontacionin.

Më së shumti vendime negative ka marrë Zyra për Këshillimin e të Huajve në Bülach të Zürichut. Pas kësaj zyre qëndron Miloslav Milovanoviq, i cili është i koncentruar në legjislacionin e sigurimeve. Pas Franklin Sedajt Milovanoviqi ka numrin më të madh të ankesave të pavlefshme, nëse llogariten të gjitha vendimet. 40 për qind e 219 ankesave të tij Gjykata nuk i ka shqyrtuar fare. Shumica janë hedhur poshtë. Por së paku 9 herë ankesat janë pranuar.

Për dallim nga avokati kosovar Milovanoviq është i gatshëm të flasë për kuotën e tij të dobët. Ai thotë: «Për secilin rast është biseduar me klientin dhe e mjekët dhe kemi qenë të mendimit se ekzistojnë shanse relative për sukses. Nuk mund ta akcepetojë që Gjykata nuk i ka shqyrtuar fare shumë kërkesa». Ai thotë se për shumë klientë punon falas. Milovanoviq fajëson «sistemin e prishur të sigurimit invalidor në Zvicër». Nëse dikush humb pensionin invalidor, shumë njerëz me dëshirë i harxhojnë paratë që kanë për të paguar një avokat. Nëse përfundojnë në entin për ndihma sociale, atëherë kursimet e tyre humbin.