Avokati i Popullit do që kryeministri ta marrë seriozisht këtë institucion

Kryeministri Isa Mustafa priti sot në takim Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari.

SONY DSC



Gjatë takimit, Mustafa u njoftua nga Avokati i Popullit lidhur me çështjet kyçe për të cilat Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) pret mbështetjen e kreut të Qeverisë.

Zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit, çështja e akomodimit të IAP-së në objekt publik dhe çështja e respektimi i garancisë ligjore për buxhet vjetor sipas kërkesave të IAP-së, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ishin temat kryesore në të cilat Avokati i Popullit u fokusua në takimin e tij me kryeministrin e vendit, transmeton Koha.net.

Kryeministri Mustafa shprehu përkrahjen dhe gatishmërinë e tij për të kërkuar nga autoritetet përgjegjëse të zbatojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit.

Ai theksoi interesimin dhe vullnetin e tij që çështja e akomodimit të IAP-së në objekt publik dhe çështja e buxhetit të zgjidhen sipas standardeve të parapara dhe kushteve të përshtatshme për funksionim të këtij institucioni të rëndësishëm për vendin, duke veçuar faktin se çështja e krijimit të kushteve për punë efektive të IAP-së është një nga kriteret afatshkurta të Studimit të Fizibilitetit për Kosovën.